Bashkimi Evropian po vijon përpjekjet për të çuar përpara procesin e zgjerimit, ndërsa Shqipëria renditet mes vendeve që konsiderohen pranë anëtarësimit në union. Në një intervistë për France24, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, theksoi se zgjerimi ka rëndësi strategjike dhe duhet të mbetet i bazuar në merita dhe në përmbushjen e standardeve evropiane.
Kallas përmendi posaçërisht Shqipërinë së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën si vende që synojnë anëtarësimin. Ajo tha se po bëhen hapa përpara në proces dhe shprehu shpresën që Mali i Zi të arrijë së shpejti “vijën e finishit”. Sipas saj, ka edhe shtete të tjera që janë vërtet shumë pranë këtij procesi.
Përfaqësuesja nënvizoi se procesi i zgjerimit është i vështirë, por po ashtu i rëndësishëm për t’u dhënë këtyre vendeve qasje në tregun e përbashkët dhe për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Ajo theksoi se zgjerimi duhet të bazohet në merita individuale dhe duhet të shërbejë si mekanizëm verifikimi për respektimin e sundimit të ligjit dhe të parimeve themelore të BE-së.
Kallas paralajmëroi se nëse një shtet kandidat nuk respekton këto kushte, pas anëtarësimit zbatimi i reformave bëhet shumë më i vështirë se më parë. Ajo përmendi gjithashtu aspektin gjeopolitik të zgjerimit, duke argumentuar se vendimet për pranimin e anëtarëve të rinj kanë edhe impakt strategjik.
Në kontekstin e situatës së sigurisë aktuale, Kallas tha se është e rëndësishme të ketë një dialog me qytetarët për vlerat që këto shtete do të sjellin në familjen evropiane. Ajo përfundoi duke rikujtuar nevojën për të verifikuar në mënyrë rigoroze respektimin e parimeve themelore para anëtarësimit, për të siguruar që reformat të zbatohen efektivisht edhe pas pranimit në BE.

