Për herë të dytë që nga 11 Shtatori, SHBA ndalon të gjitha fluturimet! Defekt në sistemin e kontrollit ajror

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) ka urdhëruar ndalimin e të gjitha fluturimeve në nisje nga aeroportet e vendit, pas problemeve të përhapura në sistemin e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror. Masa emergjente u mor për arsye sigurie dhe vlen deri në një njoftim të mëtejshëm.
Sipas autoriteteve amerikane, problemi ka prekur disa qendra të kontrollit të trafikut ajror, të cilat menaxhojnë lëvizjen e avionëve në hapësirën ajrore të vendit. Teknikët e FAA-së kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e ndërprerjes.
Urdhri u dha fillimisht pas raportimeve për probleme në komunikimet ajrore në zonën e Çikagos, ku u pezullua trafiku në aeroportet O’Hare dhe Midway. Më pas, masa u shtri në të gjithë territorin amerikan.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, konfirmoi se ndërprerja e komunikimit kishte prekur qendrat e kontrollit të trafikut ajror në të gjithë vendin, ndërsa bëri të ditur se specialistët po punonin për zgjidhjen e problemit.
Sipas udhëzimit të FAA-së, të gjitha fluturimet që ndodhen në tokë dhe kanë planifikuar të nisen duhet të qëndrojnë të bllokuara deri në një njoftim të ri. Ndërkohë, avionët që janë tashmë në ajër mund të vijojnë fluturimin dhe të ulen në destinacionet e tyre. Fluturimet ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA do të trajtohen rast pas rasti.
Në njoftimin drejtuar operatorëve të aviacionit thuhet se ndalimi është vendosur “për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe për arsye sigurie”, ndërsa kërkohet që i gjithë trafiku në nisje të mbetet në tokë deri në një udhëzim të mëtejshëm.
Sipas Reuters, ky është vetëm rasti i dytë që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kur autoritetet amerikane vendosin një ndalim kombëtar për të gjitha nisjet e avionëve. Rasti i mëparshëm ndodhi në janar të vitit 2023, kur një defekt në sistemin kompjuterik NOTAM të FAA-së, që shpërndan njoftime të rëndësishme për pilotët, detyroi pezullimin e përkohshëm të fluturimeve. Atëherë, ndalimi zgjati më pak se dy orë.
Ngjarja e fundit ka rikthyer vëmendjen te gjendja e infrastrukturës teknologjike të aviacionit amerikan. Vitin e kaluar, Kongresi miratoi 12.5 miliardë dollarë për modernizimin e sistemit të komunikimit të FAA-së. Megjithatë, të premten, më 13 nëntor, administrata e aviacionit dhe Shtëpia e Bardhë i kërkuan Kongresit edhe 30.1 miliardë dollarë për të adresuar probleme të tjera në sistem.
Pezullimi pritet të shkaktojë vonesa dhe anulime të shumta në aeroportet amerikane, megjithëse në momentin e raportimeve nuk ishte përcaktuar ende numri i fluturimeve të prekura dhe as koha kur do të rifillonte normalisht trafiku ajror.
Autoritetet kanë bërë të ditur se do të publikojnë informacione të reja sapo të ketë zhvillime në hetimin teknik dhe në rikthimin e sistemit në funksion.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



