
Një ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft, që ka prekur miliona punonjës në mbarë botën, ka ngadalësuar shërbimet qeveritare, gjyqësore, hekurudhore dhe spitalore në SHBA dhe Kanada.
Bashki të shumta në SHBA, përfshirë ato të Austin-it në Teksas, Jacksonville-it në Florida dhe Baltimore-it në Maryland, deklaruan se mbështeteshin te Microsoft për shërbimet e postës elektronike. Megjithatë, shërbimet thelbësore dhe ato të emergjencës nuk u prekën.
Në Kanada, rrjeti spitalor Unity Health Toronto shpalli gjendjen “Code Grey”, duke njoftuar se pacientët nuk mund të kontaktonin mjekët përmes email-it dhe duke u kërkuar të telefononin në rast nevoje.
Microsoft deklaroi se ndërprerja nuk ishte shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike dhe se shërbimet e kompanisë po riktheheshin gradualisht, shkruan BBC.
“Na vjen thellësisht keq për ndërprerjen që ky incident u ka shkaktuar klientëve dhe partnerëve tanë”, deklaroi Microsoft të premten.
Kompania tha se ndërprerja lidhej me një problem teknik “pas një ndryshimi të fundit në rrjet”. Ajo shtoi se kishte zgjidhur problemin themelor dhe se po vijonte punën për rikthimin e shërbimeve për klientët.
Shërbimet e Microsoft 365, përfshirë Teams, Outlook dhe programin e inteligjencës artificiale Copilot, ishin prekur nga “probleme të lidhjes”, njoftoi më herët kompania.
Ndërprerja nisi të enjten pasdite dhe vijoi edhe gjatë së premtes. Shumë klientë nuk kanë mundur të dërgojnë ose të marrin email-e, të hapin disa skedarë apo të shohin të dhëna në aplikacionet e kalendarit.
Ndërprerja preku edhe nivelet më të larta të qeverisjes në SHBA, përfshirë Dhomën e Përfaqësuesve, ku punonjësit i thanë Politico-s se puna e tyre kishte ndaluar.
“Ne të gjithë përdorim Outlook. Aty e kemi gjithë jetën tonë, gjithçka ndodhet aty, kalendari ynë, kalendari i shefit, ndaj kjo ka qenë një sfidë”, tha një punonjës anonim i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ja ku na iku një ditë e tërë pune legjislative”.
Në New York, Departamenti i Hetimeve i qytetit njoftoi se do të duhej të pezullonte dëbimet nga banesat të premten, për shkak të problemeve që kishin prekur sistemet e tij. Ndërkohë, Zyra e Sherifit të kontesë Arapahoe në Colorado tha se disa persona që mbaheshin në paraburgim mund të mos kishin mundësi të paguanin garancinë për lirimin e tyre përmes internetit.
“Derisa shërbimi i postës elektronike Outlook të rikthehet, kushdo që duhet të paguajë garancinë për t’u liruar menjëherë duhet ta bëjë këtë personalisht në burg”, njoftoi zyra e sherifit në rrjetet sociale.
Në një përditësim të publikuar të premten pasdite, Unity Health Toronto njoftoi se shërbimet e postës elektronike ishin rikthyer.
Por ky nuk ishte i vetmi sistem shëndetësor në qytet që u prek nga ndërprerja.
Halton Healthcare dhe Hospital for Sick Children njoftuan të dyja se pacientët dhe mjekët po hasnin vështirësi për të komunikuar përmes email-it dhe telefonit.
“Nëse po përpiqeni të kontaktoni një punonjës të SickKids për një urgjencë, ju lutemi drejtohuni për të marrë kujdes mjekësor në urgjencën më të afërt”, thuhej në një deklaratë të spitalit më të madh pediatrik në vend.
Edhe operatori kombëtar kanadez i transportit hekurudhor të pasagjerëve, Via Rail, po përballej me probleme. Kompania njoftoi se udhëtarët mund të mos merrnin email-e me informacionet për udhëtimin e tyre dhe i nxiti të regjistroheshin për të marrë njoftime me SMS. Megjithatë, operimi i trenave nuk ishte prekur nga ndërprerja, sqaroi kompania hekurudhore.