Friday / November 13 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Banka Lajmet Kryesore Rajoni Western Balkans Monitor

Bankat, si ndahet tregu prej 9 miliardë eurosh i Ballkanit Perëndimor, cila fiton më shumë

Share Share Icon

Tregu bankar në Rajonin e Ballkanit Perëndimor shënoi një vit pozitiv, me zgjerim të xhiros, rritje dyshifrore të kredisë dhe ulje të raportit të kredive me probleme. Ndërkohë, rritja e fitimeve u ngadalësua ndjeshëm, duke reflektuar uljen e normave të interesit dhe presionet në krahun e kostove.

 

Ersuin Shehu

Sektori bankar në rajonin e Ballkanit Perëndimor po ndjek një cikël pozitiv zhvillimi. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, xhiroja e sektorit bankat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin e kaluar arriti vlerën e 8.9 miliardë eurove, në rritje me 5.5% krahasuar me një vit më parë.

Periudha e pas pandemisë në përgjithësi ka treguar rritje dhe rimëkëmbje të vazhdueshme të sektorit bankar në rajon, duke ndjekur ciklin pozitiv të ekonomisë reale.

Të ardhurat e bankave kanë vijuar të rriten, pavarësisht një tendence të përgjithshme në rënie të normave të interesit gjatë vitit të kaluar.

Ecuria e mirë e tregut dëshmohet edhe nga rezultatet financiare. Nga 84 banka aktive gjithsej në vendet e rajonit, 78 prej tyre e mbyllën vitin me fitim.

Në total, rezultati i përbashkët para tatimit i sektorit bankar në Rajon ishte pozitiv në vlerën e 3.2 miliardë eurove. Fitimet u rritën në masën 4.4%, rritje kjo më e ulët në raport me rritjen e xhiros.

 

Ndarja e tregut: në volum kryeson Serbia, në terma realë, Mali i Zi

Madhësia e tregjeve në vlerë absolute përcaktohet nga madhësia e vetë ekonomisë. Edhe për këtë arsye, tregu bankar në Rajon është i dominuar nga Serbia, me 4.33 miliardë euro, ose sa 48.7% e xhiros totale të realizuar nga i gjithë tregu i rajonit për vitin 2025.

Shqipëria renditet e dyta, me një xhiro prej 1.31 miliardë eurosh (rreth 14.7% të volumit total të tregut rajonal), e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (duke përfshirë Republika Srpska), me 1.29 miliardë euro (rreth 14.5% e tregut rajonal).

Vijon Maqedonia e Veriut, me 890 milionë euro (10% të tregut të rajonit), Kosova, me 565 milionë euro (6.3% e rajonit) dhe Mali i Zi, me 511 milionë euro (5.7% e rajonit).

 

Burimi: Pasqyrat financiare

 

Megjithatë, në rast se volumin e tregut bankar do ta matnim në raport me madhësinë e ekonomisë, renditja do të ishte shumë e ndryshme.

Shifrat tregojnë se tregu me volumin më të lartë është Mali i Zi, me një vlerë prej më shumë se 6.1% e PBB-së.

Vijon Maqedonia e Veriut me një xhiro sa 5.4% e PBB-së dhe Kosova, ku xhiroja e tregut bankar është afërsisht sa 5.2% e PBB-së.

Serbia dhe Shqipëria, që kanë tregjet më të mëdha në vlerë absolute, renditen më mbrapa në volumin e matur kundrejt prodhimit kombëtar, të dyja në një nivel afërsisht sa 4.8% e PBB-së. Mbyll renditjen rajonale Bosnjë-Hercegovina, ku xhiro e sektorit bankar vlerësohet sa 4.3% e PBB-së.

 

Burimi: Pasqyrat financiare

 

Normat e fitimit: kryeson Bosnja, Shqipëria është e fundit

Madhësia e tregut bën që ai serb të jetë dominues edhe në terma të fitimeve. Nga 3.2 miliardë euro që ishte fitimi total para taksave i tregut rajonal, afërsisht gjysma e këtij fitimi erdhi nga tregu i Serbisë.

Bosnjë-Hercegovina renditet e dyta, me 14.5% të vlerës së fitimit para taksave, e ndjekur nga Shqipëria, me 13.5%, Maqedonia e Veriut me pak më shumë se 10%, Kosova, me 6.2% dhe Mali i Zi, me 5.4%.

 

Burimi: Pasqyrat financiare

 

Megjithatë, një tablo më realiste krahasuese për përfitueshmërinë e tregjeve e jep norma e fitimit nga xhiroja.

Sipas këtij treguesi, tregu më fitimprurës në rajonin e Ballkanit Perëndimor rezulton ai i Bosnjë-Hercegovinës.

Norma mesatare e fitimit për tregun boshnjak vitin e kaluar ishte 38%, ku në veçanti tregu i Republika Srpska shfaq një normë fitimi më të lartë, me 38.4%, ndërsa ai Federatës Boshnjake ka një nivel lehtësisht më të ulët, me 37.5%.

Ndjek sektori bankar serb, me një normë mesatare fitimi në masën 36.9%, ai i Maqedonisë së Veriut, me 36.6% dhe sektori bankar i Kosovës, me 35.2%. Shqipëria renditet e fundit në normën e fitimit të sektorit bankar, me 32.8%. Norma e fitimit pësoi rënie të konsiderueshme nga niveli prej 35.6% i një viti më parë.

Megjithëse të ardhurat e tregut shënuan rritje më të lartë se mesatarja rajonale, duket se tregu bankar shqiptar ndodhet nën presione të shtuara të lidhura me kostot, në veçanti shpenzimet e personelit dhe ato të teknologjisë.

 

Burimi: Pasqyrat financiare

 

Mali i Zi dhe Kosova janë ekonomitë më të kredituara, Shqipëria e fundit

Rritja e xhiros dhe fitimeve të sektorit bankar në vendet e Ballkanit Perëndimor po mbështetet kryesisht nga rritja me ritme të shpejta e kreditimit. Të dhënat krahasuese tregojnë se kreditimi i ekonomisë shënoi rritje dyshifrore për të gjitha vendet e Rajonit.

Rritja më e lartë vjetore e kreditimit për vitin 2025 u shënua në Serbi, me 15.4%. Ndjekin Shqipëria dhe Kosova, me një rritje vjetore të kredisë në nivelin 14.7%, Mali i Zi, me 14.2%, Maqedonia e Veriut, me 13% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 11.1%.

Ndërkohë, për sa i takon raportit të portofolit të kredisë dhe prodhimit kombëtar, ekonomitë më të kredituara në Rajon janë Kosova dhe Mali i Zi.

Në fund të vitit 2025, raporti i kredisë me PBB-në në Kosovë ishte 64.4%, ndërsa në Malin e Zi, 61.1%.

Vijon Maqedonia e Veriut, me 54% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 49.7%. Në fund, me diferencë të konsiderueshme, janë Serbia, me një vlerë të kredisë sa 34.8% e PBB-së dhe Shqipëria, në nivelin e 34% të PBB-së.

 

Burimi: Pasqyrat financiare

 

Kreditë me probleme, Shqipëria ka ende nivelin më të lartë në rajon

Raporti i kredive me probleme në vendet e Ballkanit Perëndimor edhe vitin e kaluar ndoqi një tendencë në rënie. Ky raport u ul në të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Kosovës.

Pavarësisht tendencës rënëse që vazhdon prej 16 vjetësh, Shqipëria vazhdon të ketë ende nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon. Në fund të vitit 2025, raporti i kredive me probleme në Shqipëri zbriti në 3.7%, nga 4.2% që kishte qenë një vit më parë.

Nivelin e dytë më të lartë në renditjen e raportit të kredive me probleme e ka Mali i Zi, me 2.7%, nga 3.2% që kishte qenë një vit më parë. Përmirësim të ndjeshëm ka shënuar ky tregues edhe në Bosnjë-Hercegovinë, duke zbritur në 2.3%, nga 3.2% që kishte qenë një vit më parë.

Raporti i kredive me probleme është në rënie edhe për Serbinë, në nivelin 2.1%, nga 2.7% që kishte qenë një vit më parë.

Në të njëjtin nivel ndodhet edhe Kosova, por aty raporti i kredive me probleme shënoi rritje nga niveli prej 1.9% i një viti më parë. Sektori bankar i Kosovës, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk ka kaluar asnjëherë një rritje shqetësuese të kredive me probleme.

Megjithatë, viti 2025 solli rritje të lehtë të kredive me probleme, i ndikuar pjesërisht edhe nga ngadalësimi i rritjes së portofolit të kredisë për ekonominë. Maqedonia e Veriut ka raportin më të ulët të kredive me probleme në Rajon, me 2%.

Edhe në rastin e Maqedonisë së Veriut, raporti i kredive me probleme është ulur ndjeshëm nga niveli prej 2.9% i vitit 2024.

 

Burimi: Pasqyrat financiare

 

SHQIPËRIA

Tregu 1.3 miliardë euro kryesohet nga BKT

Të dhënat e pasqyrave financiare tregojnë se sektori bankar në Shqipëri vitin e kaluar realizoi një xhiro totale në vlerën e 1.3 miliardë eurove.

Xhiroja e tregut u rrit me 8.7% krahasuar me një vit më parë, nivel më i lartë se mesatarja e rajonit. Megjithatë, pjesërisht rritja, e matur në Euro, është ndikuar pozitivisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit. Në fund të vitit 2025, kursi i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie vjetore me 1.4%.

Deri në fund të vitit 2025, në Shqipëri vepronin 11 banka tregtare aktive. Këtë vit nisën aktivitetin edhe dy banka të reja, Banka Jet dhe dega në Shqipëri e bankës turke Ziraat.

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) kryesoi renditjen sipas xhiros, me një total prej afërsisht 253 milionë eurosh ose 19.4% të tregut.

Ndjek Banka Credins, me 231.25 milionë euro (rreth 17.7% të tregut) dhe Raiffeisen Bank Shqipëri, me 213.1 milionë euro (16.3% të tregut sipas të ardhurave), Banka OTP Albania, me 121.2 milionë euro (9.3% të tregut) dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 120.3 milionë euro (9.2% të tregut).

Banka me rritjen më të lartë të xhiros vitin e kaluar ishte ABI Bank, me 35.6%, por kjo rritje u përcaktua edhe nga bashkimi me institucionin financiar jobankar NOA.

Rritjen më të lartë organike e raportoi Credins Bank, me 15.4%, e ndjekur nga Tirana Bank, me 11.9% dhe ProCredit Bank Albania, me 10.9%, dhe Union Bank, me 10.2%.

 

 

Fitimet në stanjacion, normën më të lartë e ka OTP Albania

Sektori bankar shqiptar vitin e kaluar raportoi një fitim para tatimit në vlerën e rreth 429 milionë eurove. Fitimi shënoi rritje shumë të vogël me 0.3% krahasuar me një vit më parë. 10 nga 11 banka e mbyllën vitin 2025 me fitim.

Edhe në renditjen e fitimeve kryeson BKT, me 97.7 milionë euro, e ndjekur nga Raiffeisen, me 92.4 milionë euro. Bankat e tjera kanë diferencë të madhe, duke filluar nga Banka OTP Albania, që ndjek me 55.4 milionë euro, ABI Bank, me 48.2 milionë euro dhe Banka Credins, me 41.7 milionë euro.

Bankat me rritjen më të lartë të fitimit vjetor para taksave ishin Credins Bank, me 27.2%, e ndjekur nga ABI Bank, me 25.3% dhe Fibank, me 15.1%.

Banka me normën më të lartë të fitimit mbi xhiron vitin e kaluar ishte Banka OTP Albania, me 45.7%, e ndjekur nga Raiffeisen Bank, me 43.35% dhe ABI Bank, me 40.07%.

 

KOSOVA

Xhiro e tregut në rritje dyshifrore, kryeson Raiffeisen

Tregu bankar në Kosovë edhe për vitin 2025 u konfirmua si një ndër tregjet më dinamikë të rajonit. Bankat tregtare raportuan xhiro totale në vlerën e 565 milionë eurove, në rritje me 12.1% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2025, në Kosovë ushtronin aktivitet 10 banka tregtare.

Banka më e madhe nga vlera e xhiros së raportuar ishte Raiffeisen Bank Kosovë, me 117.2 milionë euro, ose 20.8% të tregut. Ndjek NLB Banka Kosovë, me 90.9 milionë euro (16.1% të tregut), BKT Kosovë, me 81.3 milionë euro (14.4% të tregut), ProCredit Bank Kosovë, me 78.8 milionë euro (13.9% të tregut) dhe TEB Bank Kosovë, me 78.2 milionë euro (13.8% të tregut).

Banka me rritjen më të madhe të xhiros për 2025-n ishte PriBank, me 66.9%, e ndjekur nga Credins Kosovë, me 20%, dhe Banka Ekonomike e Kosovës, me 17.8%.

 

 

Fitimi i tregut me rritje modeste, kryeson NLB

Sektori bankar në Kosovë vitin e kaluar raportoi një fitim para taksave në vlerën e 198.8 milionë eurove, me një rritje të vogël prej 1% krahasuar me një vit më parë. Tetë nga 10 banka të pranishme në treg e mbyllën vitin 2025 me fitim.

Banka që ka raportuar fitimin më të lartë për vitin e kaluar ishte NLB Banka Kosovë, në vlerën e 45 milionë eurove. Fitimi para tatimit i bankës me kapital slloven u rrit me 9.8% krahasuar me një vit më parë.

Vijon BKT Kosovë, me fitim para taksave në vlerën e 36.1 milionë eurove, e ndjekur nga Raiffeisen Kosovë me 34.8 milionë euro dhe TEB, me 32 milionë euro.

NLB është njëkohësisht banka me normën më të lartë të fitimit nga xhiroja, me 49.5%, e ndjekur nga BKT me 44.4%, TEB, me 41%, ProCredit, me 37.3% dhe Banka për Biznes, me 32.1%.

 

SERBIA

Tregu më i madh në xhiro, kryeson Banka Intesa

Serbia ka dukshëm tregun më të madh bankar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me një xhiro totale prej 4.33 miliardë eurosh vitin e kaluar. Megjithatë, tregu serb shfaqi rritje disi më të ulët se mesatarja e rajonit, me 3.9% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Në fund të vitit të kaluar, në tregun serb vepronin 18 banka tregtare.

Banka më e madhe në Serbi për nga xhiroja ishte Banka Intesa Beograd, me një shifër prej 720 milionë eurosh, ose 16.6% të tregut serb, sipas këtij indikatori.

Ndjekin OTP Banka Srbija, me 631.5 milionë euro (14.6% të tregut), Raiffeisen Banka Beograd, me 550.1 milionë euro (12.7% të tregut), UniCredit Bank Srbija, me 481.5 milionë euro (11.1% të tregut) dhe NLB Komercijalna Banka, me 420.3 milionë euro (9.7% të tregut).

Bankat me rritjen më të lartë të xhiros për vitin 2025 ishin Alta Banka, me 69.6%, e ndjekur nga AikBank, me 36.2%, dhe Mirabank, me 28.5%

 

 

Fitimet me rritjen më të lartë në rajon

Sektori bankar në Serbi vitin e kaluar raportoi një fitim para tatimit në shumën e afërsisht 1.6 miliardë eurove. Fitimi u rrit me 8.6% krahasuar me një vit më parë.

Nga 18 banka, 16 prej tyre e mbyllën vitin 2025 me fitim.

Edhe renditjen e fitimeve e kryeson Banka Intesa, me 303 milionë euro, në rritje vjetore me 16.6%. Ndjekin Raiffeisen Bank, me 286.1 milionë euro, UniCredit, me 277.2 milionë euro, OTP, me 227 milionë euro, NLB me 175.3 milionë euro.

Banka me normën më të lartë të fitimit nga xhiroja është filiali i Bankës së Kinës në Serbi, në nivelin 68%, njëkohësisht norma më e lartë e kthimit në rajon. Ndjek Raiffeisen Bank, me një normë fitimi nga xhiroja në masën 52%, UniCredit, me 47.2%, dhe API Bank, me 43.4%.

 

MAQEDONIA E VERIUT

Xhiro u rrit me 9%, tregun e kryeson Komercijalna Banka

Volumi i tregut bankar sipas xhiros në Maqedoninë e Veriut për vitin e kaluar arriti në 890 milionë euro, në rritje me 9% krahasuar me një vit më parë.

Në fund të vitit të kaluar, në treg vepronin 13 banka tregtare.

Banka me kapital vendas Komercijalna Banka kryeson tregun me një xhiro totale prej 182.3 milionë eurosh, ose 20.5% të tregut.

Ndjek Stopanska Banka, pjesë e grupit grek NBG, me 161.42 milionë euro (18.1% të tregut), banka me kapital turk Halkbank, me 146.6 milionë euro (16.5% të tregut), banka me kapital slloven NLB Banka, me 145.9 milionë euro (16.4% të tregut) dhe banka austriake Sparkasse Bank, me 103.3 milionë euro (11.6% të tregut).

Bankat me rritjen më të lartë të xhiros ishin Komercijalna Banka, me 26.9%, Halkbank, me 11.5% dhe Centralna Kooperativna Banka, me 10.3%.

 

 

Fitimet pësuan rënie

Vitin e kaluar, sistemi bankar në Maqedoninë e Veriut realizoi një fitim para tatimit në vlerën e 325.5 milionë eurove. Fitimi i tregut pësoi rënie me 2% krahasuar me një vit më parë.

Nga 13 banka në treg, 12 prej tyre e mbyllën vitin e kaluar me fitim.

Renditja e fitimeve kryesohet gjithashtu nga Komercijalna Banka, me 92.7 milionë euro, në rritje me 4% krahasuar me një vit më parë.

Ndjekin NLB Banka, me 70 milionë euro, Stopanska Banka, me 60.3 milionë euro, Halkbank, me 41.9 milionë euro, dhe Sparkasse Bank, me 34.3 milionë euro.

Renditja e normës së fitimit para xhiros kryesohet përsëri nga Komercijalna Banka, me 50.8%, e ndjekur nga NLB Banka, me 47.9%, Stopanska Banka, me 37.4%, Sparkasse Bank, me 33.2%, dhe Halkbank, me 28.6%.

 

MALI I ZI

Tregu u rrit me 2.7%, Komercijalna OTP e para

Tregu bankar malazez vitin e kaluar arriti vlerën e 511 milionë eurove, në rritje me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Në treg veprojnë gjithsej 11 banka aktive.

Banka më e madhe për nga xhiroja vitin e kaluar ishte Komercijalna Banka (bankë e grupit OTP), me 153.9 milionë euro, ose 30.1% të tregut.

Ndjekin NLB Banka, me 79 milionë euro (15.5% të tregut), Hipotekarna Banka (pjesë e grupit serb AikBank), me 73.8 milionë euro (14.5% të tregut), Erste Bank, me 60.2 milionë euro (11.8% të tregut) dhe banka me kapital vendas, Prva Banka, me 31.7 milionë euro (6.2% të tregut).

Bankat me rritjen më të lartë të xhiros vitin e kaluar ishin Prva Banka, me 19%, e ndjekur nga Lovćen Banka, me 12.4% dhe Komercijalna Banka, me 9.5%.

 

 

Tkurren fitimet

Sektori bankar në Malin e Zi vitin e kaluar raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 172.6 milionë eurove. Fitimi i sektorit pësoi rënie me 7.8% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, të gjitha bankat e mbyllën vitin 2025 me fitim.

Banka me fitimin më të lartë ishte Komercijalna Banka OTP, me 65 milionë euro. Fitimi i bankës së grupit hungarez pësoi rënie me 8.5% krahasuar me një vit më parë.

Ndjekin NLB Banka, me fitim para tatimit në vlerën e 30.9 milionë eurove, Hipotekarna Banka, me 24.8 milionë euro, Erste Bank, me 21.8 milionë euro dhe Prva Banka, me 8.4 milionë euro.

Në renditjen e normës së fitimit nga xhiroja, kryeson përsëri Komercijalna OTP, me 42.2%, e ndjekur nga NLB, me 39.1%, Universal Capital Bank, me 36.4%, Erste Bank, me 36.2%, Hipotekarna Banka, me 33.6%.

 

BOSNJË-HERCEGOVINA

Xhiro e tregut u rrit me 5.7%, kryeson UniCredit

Tregu bankar i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës (pa përfshirë Republika Srpska) kishte vlerën e 892 milionë eurove, në rritje me 5.7% krahasuar me një vit më parë. Në fund të vitit të kaluar, në treg ishin 13 banka aktive.

Banka më e madhe për nga xhiroja e realizuar ishte UniCredit. Banka e grupit italian raportoi xhiro në vlerën e 219.2 milionë eurove ose 24.6% të tregut.

Ndjekin Raiffeisen Bank, me 190 milionë euro (21.3% të tregut), banka me kapital vendas ASA Bank, me 91.3 milionë euro (10.2% të tregut), Intesa Sanpaolo, me 75.1 milionë euro (8.4% të tregut) dhe Sparkasse Bank, me 71.2 milionë euro (8% të tregut).

Bankat me rritjen më të lartë ishin ASA Bank, me 13.2%, banka me kapital shtetëror boshnjak Union Bank, me 10.6% dhe Intesa Sanpaolo, me 9.9%.

 

 

Edhe fitimet, në rritje

Bankat e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës vitin e kaluar raportuan fitim para tatimit në vlerën e afërsisht 335 milionë eurove. Fitimi i sektorit u rrit me 2.8% krahasuar me një vit më parë. Të gjitha bankat e mbyllën vitin 2025 me fitim.

Edhe renditja e fitimit kryesohet nga UniCredit Bank Mostar, me 117.3 milionë euro, shifër kjo 12.8% më e lartë krahasuar me një vit më parë.

Vijon Raiffeisen Bank, me 72.7 milionë euro, ASA Bank, me 36.5 milionë euro, Sparkasse Bank, me 21.7 milionë euro dhe Intesa Sanpaolo, me 16.9 milionë euro.

Banka me normën më të lartë të fitimit nga xhiroja është sërish UniCredit, në masën 53.5%. Ndjek ASA Bank me një normë të fitimit mbi xhiron prej 40%, Raiffeisen Bank, me 38.3%, NLB Bank, me 34.5% dhe Ziraat Bank, me 31.8%.

 

REPUBLIKA SRPSKA, BOSNJË-HERCEGOVINË

Xhiro në rritje me 6.4%, kryeson Nova Banka

Për shkak të organizimit shtetëror, tregu bankar i Republikës Serbe të Bosnjës (Republika Srpska) funksionon si i ndarë për qëllime licencimi dhe për vitin e kaluar arriti një xhiro totale prej 398 milionë eurosh.

Tregu u rrit me 6.4% krahasuar me një vit më parë. Numri i bankave aktive në treg në fund të vitit të kaluar ishte tetë.

Banka më e madhe për nga xhiroja ishte banka me kapital vendas Nova Banka, me 119.3 milionë euro, ose rreth 30% të xhiros totale të tregut.

Ndjek NLB Banka, me 73.5 milionë euro (18.5% të tregut), banka me kapital vendas ATOS Bank (e kontrolluar gjithashtu nga banka më e madhe në vend, Nova Banka), me 49.5 milionë euro (12.4% të tregut), UniCredit Bank Banja Luka, me 47.1 milionë euro (11.8% të tregut) dhe Addiko Bank, me 43.1 milionë euro (10.8% të tregut).

Bankat me rritjen më të lartë vitin e kaluar ishin banka me kapital serb Naša Banka, me 15.4%, e ndjekur nga banka shtetërore serbe Banka Postanska, me 12.6%, dhe Nova Banka, me 7.6%.

 

 

Fitimi u rrit me 7.5%

Sektori bankar në Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës vitin e kaluar raportoi fitim para tatimit në vlerën e 147.5 milionë eurove. Fitimi i tregut u rrit me 7.5% krahasuar me një vit më parë. Të gjitha bankat e pranishme në treg e mbyllën vitin me fitim.

Edhe renditja e fitimeve kryesohet nga Nova Banka, me 51.9 milionë euro, në rritje me 10.2% krahasuar me një vit më parë.

Vijon NLB Banka, me 31.8 milionë euro, ATOS Bank, me 19.4 milionë euro, UniCredit Bank Banja Luka, me 18.3 milionë euro dhe Addiko Bank, me 15.1 milionë euro.

Normën më të lartë të fitimit nga xhiroja e ka po Nova Banka, në masën 43.9%, e ndjekur nga NLB Bank, me 43.3%, ATOS Bank, me 39.2%, UniCredit, me 39% dhe Addiko Bank, me 35%.

 

 

10 grupet më të mëdha në rajon, kryeson Raiffeisen

Raiffeisen ishte grupi më i madh bankar nga xhiroja e realizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin e kaluar. Filialet e saj në vendet e rajonit raportuan një xhiro prej 1.07 miliardë eurosh në vitin 2025.

Grupi austriak Raiffeisen është i pranishëm në katër vende të rajonit dhe një pjesë të lartë tregu në të gjitha tregjet ku është e pranishme, çka i mundëson një bazë të gjerë të ardhurash. Raiffeisen është banka më e madhe nga xhiroja në Kosovë, e dyta në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe e treta në Shqipëri dhe Serbi.

Ndjek grupi hungarez OTP, që në dekadën e fundit ka ndjekur një strategji të rritjes së shpejtë në rajon, të bazuar në një pjesë të madhe edhe te shitblerjet.

Për vitin 2025, filialet e grupit OTP arritën një xhiro të përbashkët në vlerën e 907 milionë eurove në vendet e Rajonit. OTP është e pranishme në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri, me pjesë të lartë në secilin prej tregjeve. OTP renditet e para për nga xhiroja në Mal të Zi, e dyta në Serbi dhe e katërta në Shqipëri.

Me diferencë të ngushtë, OTP ndiqet nga grupi italian Intesa Sanpaolo, që vitin e kaluar arriti një xhiro prej 902 milionë eurosh me filialet e saj në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Kryesimi i grupit Intesa është i përcaktuar sidomos nga pozicioni i fortë në tregun serb, ku ishte banka më e madhe për nga xhiroja, ndërkohë që në Bosnjë-Hercegovinë renditet e katërta dhe në Shqipëri e gjashta.

Grupi slloven NLB renditet i katërti, me një xhiro prej 871 milionë eurosh në tregjet e Ballkanit Perëndimor. NLB ka praninë më të gjerë gjeografike, duke vepruar në pesë nga gjashtë vendet e rajonit.

Përjashtim bën vetëm Shqipëria, por grupi slloven e ka shprehur publikisht qëllimin për t’u zgjeruar edhe aty, për të plotësuar mozaikun e pranisë rajonale. NLB është e pozicionuar veçanërisht mirë në Kosovë, Malin e Zi dhe në Republika Srpska të Bosnjës, ku renditet e dyta për nga xhiroja.

UniCredit renditet grupi i pestë më i madh në Rajon për nga xhiroja, për një total prej afërsisht 748 milionë eurosh. Grupi i dytë bankar italian në Ballkanin Perëndimor kryeson tregun bankar në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa renditet i katërti në Serbi dhe në Republikën Srpska të Bosnjës.

Më tej ndjek grupi bankar Aik, që është i pranishëm në Serbi, me AikBank dhe në Malin e Zi, me Hipotekarna Banka, me një xhiro totale prej 447 milionë eurosh. AikBank është një grup bankar në pronësi të MK Group, me përfundues fundor biznesmenin serb Aleksandar Kostić.

E shtata renditet banka shtetërore serbe Banka Poštanska Štedionica Beograd, me një xhiro prej 372 milionë eurosh, të realizuar në Serbi dhe në Republikën Serbe të Bosnjës.

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) renditet e teta në rajon për nga xhiroja, me një vlerë totale prej 334 milionë eurosh, të realizuar në Shqipëri dhe Kosovë. BKT është bankë shqiptare me kapital turk, në pronësi të biznesmenit Ahmet Çalik.

Në vendin e nëntë renditet grupi bankar austriak, Erste Bank, me një xhiro totale prej 327 milionë eurosh, të realizuar në Serbi dhe në Malin e Zi.

Renditja e dhjetë grupeve më të mëdha bankare mbyllet nga grupi gjerman ProCredit, me një xhiro totale prej 259 milionë eurosh.

ProCredit është e pranishme në katër vende të rajonit dhe në përgjithësi ka pësuar rënie të pjesës së tregut në dekadën e fundit. Megjithatë, ajo vazhdon të jetë një nga grupet kryesore në Rajon, kryesisht falë kontributit të xhiros së realizuar në Serbi dhe në Kosovë.

Mes 10 grupeve më të mëdha bankare në rajon, Raiffeisen kryeson edhe renditjen e fitimeve, me afërsisht 486 milionë euro për vitin 2025.

Në vend të dytë renditet grupi slloven NLB, me 369 milionë euro, i ndjekur nga UniCredit me 363 milionë euro, Intesa Sanpaolo, me 354 milionë euro dhe OTP, me 322 milionë euro.

Megjithëse në pozicione të ndryshme, 10 grupet më të mëdha për nga xhiroja janë njëkohësisht edhe më të mëdhatë për nga vlera e fitimeve.

Banka maqedonase Komercijalna Banka do të hynte në listën e 10 grupeve me fitimin më të lartë (do të renditej në vendin e dhjetë), në rast se do të klasifikohej si grup bankar, por në fakt ajo ushtron aktivitet bankar vetëm në Maqedoninë e Veriut.

Në renditjen sipas normës së fitimit për vitin 2025, në krye është grupi italian UniCredit, me 48.52%, i ndjekur nga Raiffeisen, me 45.39%, NLB, me 42.38%, BKT, me 40.04% dhe Intesa Sanpaolo, me 39.27%.

Norma mesatare e fitimit për dhjetë grupet më të mëdha bankare në rajonin e Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar ishte 38.75%.

 

Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:

Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025

 

 

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

TVSH-ja, thika me dy presa për bujqësinë

Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore synon të lehtësojë çmimet për konsumatorët, por fermerët vendas druhen se mund t...

9 minutes më parë 19 Min Lexim

Buxheti social i Kosovës

Projektbuxheti  i vitit 2027 parasheh rritje të pagave, shtesave për fëmijë dhe pensioneve, ndërsa Qeveria planifikon investime kapitale mbi 1 mili...

12 minutes më parë 13 Min Lexim
Bota /

Përballë borxhit

13 minutes më parë 19 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!