Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të kalojë në shqyrtimin e Projektligjit që synon kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale, ndonëse kjo pikë ishte përfshirë në rendin e ditës të seancës së sotme.
Seanca, e cila zgjati gati 12 orë, përfundoi pa u zhvilluar diskutime për këtë projektligj. Kjo për shkak se nuk kishte numër të mjaftueshëm deputetësh në sallë për të kaluar nga pika e rendit të ditës që lidhej me energjinë te ajo për Gjykatën Speciale.
Në momentin e ndërprerjes së punimeve, në sallë ishin të pranishëm vetëm 38 deputetë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se për datën e vazhdimit të seancës do të dakordohet me shefat e grupeve parlamentare.
Një ditë më parë, Kuvendi e kishte përfshirë në rend dite shqyrtimin e Projektligjit, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës që të rrëzohej vetoja e presidentes Justina Shiroka-Pula dhe të hynte në fuqi versioni i miratuar nga deputetët në dy lexime.
Presidentja e kishte kthyer ligjin në Kuvend pas kërkesës së vetë PDK-së për të bërë disa ndryshime në të. Megjithatë, ky subjekt politik më pas kishte kërkuar që të miratohej përmbajtja e njëjtë e ligjit, ndërsa amendamentimi të bëhej pasi ai të hynte në fuqi.