“Bosët e drogës, komshi me ju”, Sky News publikon dokumentarin për Çopjat
Si u shndërruan shqiptarët në lojtarë të kokainës në Britani
Media britanike Sky News ka publikuar një dokumentar investigativ mbi aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare në tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, duke u ndalur veçanërisht te rrjeti i lidhur me Franc Çopjan.
Me titullin domethënës “The Drug Lords Next Door” (Bosët e drogës, komshi me ju), dokumentari sjell përmes një hetimi të gazetarëve të infiltruar mënyrën se si funksionojnë rrjetet e importimit dhe shpërndarjes së kokainës, si dhe rolin që kanë fituar grupet shqiptare në këtë aktivitet kriminal.
Një nga elementët që trajtohet është prania e Franc Çopjas në Britani, ku ai ka jetuar për disa vite në zonën e Tottenhamit, në verilindje të Londrës. Dokumentari shqyrton shtrirjen e aktivitetit të tij dhe lidhjet e grupit me tregun britanik të kokainës.
Sipas të dhënave të paraqitura në investigim, biznesi i shpërndarjes së drogës funksionon përmes një sistemi të organizuar linjash telefonike, të cilat përdoren për të marrë porosi dhe për të mbajtur kontakt me klientët. Vlera e këtyre rrjeteve mund të arrijë shifra të konsiderueshme. Një linjë shpërndarjeje, së bashku me databazën e klientëve, mund të shitet deri në 300 mijë paund.
Dokumentari sjell gjithashtu shifra mbi të ardhurat që mund të sigurojnë personat e angazhuar në këtë aktivitet. Sipas materialit të Sky News, një shpërndarës i thjeshtë mund të përfitojë rreth 280 paund në ditë, ose afërsisht 143 mijë paund në vit.
Një tjetër aspekt i hetimit lidhet me mënyrën se si grupet shqiptare kanë ndërtuar pozicionin e tyre në tregun ndërkombëtar të kokainës. Sipas analizës së paraqitur, ato kanë arritur të shmangin ndërmjetësit dhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me furnizues në Amerikën Latine, duke fituar një rol të rëndësishëm në zinxhirin e trafikut.
Specialistët britanikë të zbatimit të ligjit, të cituar në dokumentar, vënë në dukje përdorimin e teknologjisë nga këto organizata kriminale. Sistemi i porosive dhe shpërndarjes është organizuar në mënyrë të tillë që, nga ana e klientit, të ngjajë me një shërbim të zakonshëm porosie online.
Cilësia dhe pastërtia e kokainës, organizimi i furnizimit, por edhe përdorimi i dhunës ndaj rivalëve, janë elementë të tjerë që trajtohen në investigim. Përplasjet për kontrollin e tregut dhe shkelja e marrëveshjeve mes grupeve mund të shoqërohen me pasoja të rënda.
Megjithatë, dokumentari nuk e paraqet këtë aktivitet të izoluar nga tregu vendas. Britania ka një numër të konsiderueshëm përdoruesish të kokainës dhe kjo kërkesë krijon terrenin ku operojnë rrjetet kriminale të furnizimit dhe shpërndarjes.
Në përfundimet e tij, investigimi ngre shqetësimin se grupet shqiptare mund të vazhdojnë të jenë aktive në Britani për një kohë të gjatë, pavarësisht operacioneve policore. Përshtatja e vazhdueshme e strukturave kriminale dhe ndryshimi i mënyrave të funksionimit e bëjnë më të vështirë goditjen përfundimtare të tyre.
Një element që theksohet në dokumentar është edhe dallimi mes shqiptarëve që jetojnë e punojnë ndershmërisht në Britani dhe individëve të përfshirë në trafikun e drogës. Megjithatë, vetë titulli “Bosët e drogës, komshi me ju” ngre një tjetër shqetësim: rrezikun që aktiviteti i një pjese të grupeve kriminale të ndikojë në perceptimin e publikut britanik për të gjithë komunitetin shqiptar.
Kjo vjen në një kohë kur Shqipëria është kthyer në një destinacion gjithnjë e më të frekuentuar nga turistët britanikë. Përballë imazhit pozitiv që shumë prej tyre krijojnë gjatë vizitave në vend, investigime të tilla rikthejnë në vëmendje aktivitetin e rrjeteve kriminale shqiptare jashtë kufijve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



