Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipëria në rrezik ekzistencial zhdukjeje, shpopullimi do ndalur me çdo kusht” – Berisha


Kreu i PD-së Berisha dha alarmin mbi shpopullimin e Shqipërisë si një çështje ekzistenciale për vendin.

Gjatë një takimi me simpatizantë e qytetarë të Kukësit, kryedemokrati tha se koha është tani për t’u ribashkuar të gjitha forcat opozitare për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Rama.

“Po bisedoja para katër ditësh me një profesor akademik të shquar të huaj, i cili ka ardhur disa herë në Shqipëri. Dhe kur i thashë se sot, sipas regjistrit të gjendjes civile të Shqipërisë, lindjet janë sa ç’kanë qenë 100 vite më parë kur Shqipëria kishte më pak se 1 milion banorë, u shtang. Më tha, ‘Zoti Berisha, ky është rrezik ekzistencial’. Në fakt këtu jemi.

Ndaj dhe ne, pavarësisht nga çmimi, ne kurrë nuk do ta pranojmë më tej këtë situatë. Por bëjmë gjithçka për t’u bashkuar në një front të përbashkët, qoftë në betejë kundër tij, qoftë në zgjedhje. Me qëllimin më kryesor që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Të zgjedhin atë që duan. Të zgjedhin burrat dhe gratë që besojnë se i përfaqësojnë më mirë. Përndryshe, nuk ka diskutim që Partia Demokratike ka programin e saj më të mirë në tërë historinë, kurrë kjo parti s’ka pasur një program si ky. Dhe ka një program me të cilin ne i japim përgjigje me emergjencë, problemeve më të mprehta, më madhore, me të cilat përballet çdo ditë shqiptarët.” – tha Berisha.

Ai shtoi më tej se qeveria e PD-së do dyfishojë rrogat dhe pensionet, do përgjysmojë taksat e do sekuestrojë të gjitha pasuritë e vëna në mënyurë të paligjshme nga zyrtarët dhe grupet mafioze.

“Ka një program me të cilin në një start të fuqishëm do të dyfishojmë rroga dhe pensione.

Do vendosim minimum jetik. Do përgjysmojmë taksat. Në Shqipëri s’do ketë taksë mbi 12.5%. Me gërshërë të forta të ligjit, do të vendosim para ligjit çdo zyrtar të korruptuar, çdo mafioz, e dini vetë ju, ku i kemi gjetur herën e parë, në papafingo në Ankara, kudo që të jenë, me kollare ose pa kollare, ish-zyrtarë apo banditë ordinerë, do vendosen para ligjit dhe pasuritë një për një do u konfiskohen. Shqipëria është absolutisht njëri prej vendeve me pasuritë më të mëdha natyrore dhe potenciale të saj. Ju garantoj se ato do kthehen në mirëqenie për qytetarin shqiptar.” – shtoi Berisha.