Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shkakton pasoja të rënda jo vetëm në rajon, por edhe në mjedis. Qindra derdhje nafte janë regjistruar në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit, duke kërcënuar ekosistemet detare dhe zonat bregdetare.
Sipas një investigimi të publikuar nga gazeta britanike The Guardian, imazhet satelitore tregojnë njolla të mëdha nafte që janë përhapur në ujërat e Gjirit, pasi cisternat janë goditur nga raketat ose kanë hasur në mina detare gjatë muajve të fundit.
Greenpeace, që prej nisjes së luftës më 28 shkurt janë identifikuar mbi 500 raste të derdhjes së naftës në Gjirin Persik, Ngushticën e Hormuzit dhe Detin Arabik.
Ekspertët vlerësojnë se sipërfaqja kumulative e prekur nga këto derdhje arrin rreth 20 mijë kilometra katrorë, pothuajse sa territori i Uellsit.
“Duke mbledhur sipërfaqet e prekura çdo ditë nga derdhjet, rezulton një total kumulativ prej rreth 20 mijë kilometrash katrorë”, deklaroi Nina Noelle, eksperte e Greenpeace për përballimin e katastrofave mjedisore.
Ngushtica e Hormuzit është një zonë me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike, ku gjenden shkëmbinj nënujorë koralorë, pyje mangrovash dhe livadhe detare që mbështesin një shumëllojshmëri të madhe speciesh.
Ndotja nga nafta mund të prekë organizma të ndryshëm, nga jovertebrorët e vegjël deri te peshqit, shpendët dhe breshkat e detit. Ajo mund të dëmtojë gjithashtu zinxhirin ushqimor detar dhe të kërcënojë komunitetet bregdetare që varen nga peshkimi.
Bernhard Riegl, biolog detar në Universitetin Nova Southeastern në Florida, i cili studion Gjirin Persik prej më shumë se 30 vitesh, paralajmëroi për pasojat afatgjata të ndotjes.
“Nuk ekziston një luftë e pastër. Jo për njerëzit e pafat që përfshihen në të, por as për mjedisin e pafat ku zhvillohet konflikti”, u shpreh ai.
Sipas Greenpeace, që nga fillimi i konfliktit janë regjistruar më shumë se 133 sulme ndaj cisternave të naftës.
Një prej incidenteve më të rënda ndodhi në tetor, kur supercisterna Gem No 2 u godit pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shkaktuar një njollë nafte që u përhap në një gjatësi prej më shumë se 35 kilometrash.
Ndotja ka prekur gjithashtu brigjet e Iranit dhe Omanit, përfshirë zona të mbrojtura natyrore dhe habitate të rëndësishme për jetën e egër.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse njollat e naftës zhduken nga sipërfaqja e detit, ndotja mund të mbetet e bllokuar në sedimentet detare, në brigje dhe në rrënjët e mangrovave për shumë vite.
Sipas Greenpeace, shkëmbinjtë koralorë dhe pyjet e mangrovave mund të kenë nevojë për dekada për t’u rikuperuar, veçanërisht kur nafta mbetet e pranishme në sedimentet detare.
“Efektet e ndotjes në shkallë të gjerë nga nafta mbeten të dallueshme për dekada. Ky është qartësisht një problem që prek breza të tërë. Mund të humbasim diçka të pazëvendësueshme”, paralajmëroi biologu detar Bernhard Riegl.





Top Channel