Inspektorati i Mjedisit ka zhvilluar të enjten një aksion përgjatë zonës së lumit Drini i Bardhë, ku ka evidentuar operatorë ekonomikë që dyshohet se po kryenin eksploatim të kundërligjshëm të zhavorit.
Gjatë aksionit janë sekuestruar gjashtë ekskavatorë në komunat e Prizrenit, Pejës dhe Rahovecit.
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se aksioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa në të gjitha mjetet janë vendosur shiritat zyrtarë për ndalimin e punimeve.
Përmes një postimi, Pacolli ka theksuar se institucionet do të ndërmarrin masa ndaj çdo veprimtarie që dëmton pasuritë natyrore.
“Lumenjtë tanë nuk janë pronë e askujt për t’i shfrytëzuar kundërligjshëm. Çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet dhe çdo veprim që dëmton pasuritë tona natyrore do të përballet me ligjin”, ka shkruar ajo.