Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe çmimin e rrymës, duke thënë se në kohën kur në Kuvend po diskutohet për këtë çështje, shumë fshatra të Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Gjatë debatit, Musliu ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj ministres, duke thënë se nuk po kërkon prej saj të mos vjedhë, por të garantojë furnizim të rregullt me rrymë gjatë dimrit dhe të angazhohet për uljen e çmimit të energjisë.
“E nderuara ministre, vjedhni sa të mundni. Ajo çka po të them unë ty sot e për çfarë po kërkoj prej teje sot, a kanë me pasë qytetarët rrymë edhe a ka me u liru çmimi se u mbytën tu pagu. Jam dalë me të thanë garanto furnizim me rrymë 100 % për dimër. Liroje çmimin e rrymës”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka kërkuar nga Rizvanolli që të mos japë arsyetime për punën e ministrisë, por të tregojë konkretisht se çfarë është bërë për të parandaluar mungesën e energjisë elektrike për qytetarët.
Musliu ka përmendur edhe ministrat Sveçla dhe Murati, duke thënë se nga zyrtarët që janë në qeverisje që nga viti 2020 nuk pret justifikime, por përgjegjësi për gjendjen aktuale.
“Ata që vjedhin e manipulojnë e kanë vendin tjetër kund. Nga ju ministre e Sveçla e Murati, që jeni në ministri të njëjta nga 2020-ta, s’pres justifikime boshe. Jo çka keni bo ju, jo se keni bo këto, dil fol çka ke bo ti. Çka ke bo që qytetarët mos me e ndje mungesën e rrymës”, ka shtuar ajo.