Rusia ka paraqitur një sërë kërkesash të gjera në kuadër të negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas gazetës gjermane “Bild”, propozimet e Moskës shkojnë përtej territorit ukrainas dhe synojnë ndryshimin e rendit të sigurisë në Evropë. Mes kërkesave të raportuara është mbajtja e të gjitha territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, si dhe marrja e pjesëve të mbetura të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, që aktualisht kontrollohen nga Kievi. Moska kërkon gjithashtu që Ukraina të përjashtojë përgjithmonë anëtarësimin në NATO, ndërsa të mbetet e hapur mundësia e integrimit në Bashkimin Evropian. Rusia kërkon edhe largimin e bazave ushtarake të NATO-s nga Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe tërheqjen e Finlandës nga aleanca, duke u rikthyer në statusin që kishte përpara anëtarësimit. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i mohoi këto pretendime, duke deklaruar se një kërkesë e tillë nuk ishte diskutuar.