Kuvendi i Kosovës drejt rivotimit të Ligjit për Specialen. Pse pa ndryshime? Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën plenare të nisur një ditë më herët. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija në interpelancë është përballur me deputetët lidhur me mungesën e barnave, specifikisht atyre të onkologjikut.
Deputetët kanë kërkuar përgjegjësi nga Vitija për rastin e pacientes e cila për katër muaj u përball me mungesë të terapisë dhe mungesën e barnave për trajtimin e kancerit të gjirit e që më pas ndërroi jetë.
Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës tha se pagesat për shërbimet shëndetësore i çojnë deri në varfëri qytetarët e vendit. Ismaili duke folur për rastin e vdekjes së pacientes me kancer, tha se shteti ka dështuar në sigurimin e terapisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija derisa ka pranuar që ka pasur mungesë, tha se kjo ka ardhur për shkak të dështimit të tenderëve në furnizim.
Deputetët opozitar kanë vazhduar të akuzojnë Ministrinë e Shëndetësisë për “vjedhje” me tenderët për furnizim me barna esenciale dhe kanë kërkuar përgjegjësi për mungesën e terapisë në onkologji që rezultoi edhe me vdekjen e një pacienteje.
Në vazhdimin e seancës plenare, këtë të premte u ratifikuan katër marrëveshje ndërkombëtare, ndërkohë që pasdite do të diskutohet edhe për energjinë dhe pritet që të votohet Ligji për Specialen, pasi PDK-ja ka kërkuar rrëzimin e vetos së presidentes në mënyrë që ligji të fuqizohet menjëherë.
Top Channel