Një dokumentar investigativ i televizionit britanik Sky News ka hedhur dritë mbi aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare në tregun e kokainës në Britaninë e Madhe, duke analizuar mënyrën se si ato kanë krijuar rrjete të importimit dhe shpërndarjes së drogës në Londër dhe qytete të tjera të vendit.

Përmes një hetimi të zhvilluar nga gazetarë të infiltruar, dokumentari me titull “The Drug Lords Next Door” trajton zgjerimin e këtyre rrjeteve kriminale dhe mënyrën se si ato kanë fituar ndikim në tregun britanik. Në fokus është edhe Franc Çopja, i përshkruar si një prej figurave të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i cili ka pasur lidhje dhe aktivitet në Britani, veçanërisht në Londër.

Hetimi paraqet edhe përmasat financiare të këtij aktiviteti të paligjshëm. Sipas të dhënave të bëra publike në dokumentar, një shpërndarës i drogës mund të përfitojë deri në 280 paund në ditë, ndërsa një telefon i përdorur për porositë dhe kontaktet me klientët mund të shitet deri në 300 mijë paund, në varësi të rrjetit dhe klientelës që zotëron.

Një tjetër element i trajtuar është modeli i organizimit të grupeve shqiptare, të cilat dyshohet se kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine, duke shmangur ndërmjetësit. Kjo mënyrë organizimi, e kombinuar me përdorimin e teknologjisë, ka lehtësuar porositjen dhe shpërndarjen e kokainës te konsumatorët britanikë.

Dokumentari ndalet gjithashtu te konkurrenca mes grupeve kriminale, cilësia e drogës së tregtuar dhe dhuna që shoqëron konfliktet për kontrollin e tregut. Ekspertë të zbatimit të ligjit në Britani analizojnë mënyrën se si këto organizata përshtaten me ndryshimet dhe vijojnë aktivitetin pavarësisht operacioneve policore.

Megjithatë, dokumentari ngre edhe një çështje të ndjeshme për komunitetin shqiptar në Britani. Pavarësisht se bëhet fjalë për individë dhe grupe të përfshira në veprimtari kriminale, imazhi i krijuar nga titulli dhe përmbajtja e dokumentarit rrezikon të ndikojë në perceptimin ndaj mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në ishull.

Në përfundim, hetimi evidenton vështirësitë që përballen autoritetet britanike në luftën kundër trafikut të kokainës, ndërsa përshtatja e vazhdueshme e rrjeteve kriminale mbetet një sfidë për policinë dhe institucionet ligjzbatuese.