Qeveria zhvendos fshehtas trenin famoz 500 metra larg aeroportit
Ministria e Infrastrukturës ndryshon fshehtas projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës
Investimi 130 milionë euro, ende e paqartë lidhja direkte me terminalin
Projekti i hekurudhës që synon të lidhë Tiranën dhe Durrësin me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit ka pësuar një ndryshim të rëndësishëm, duke e zhvendosur stacionin përfundimtar rreth 500 metra larg terminalit të aeroportit. Vendimi, i marrë pas propozimeve të Hekurudhës Shqiptare dhe me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës, ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si do të transportohen pasagjerët nga stacioni deri në aeroport.
Dokumentacioni i projektit tregon se plani fillestar parashikonte ndërtimin e stacionit hekurudhor vetëm 60 metra larg terminalit. Megjithatë, gjatë fazës së mëvonshme të zhvillimit, Hekurudha Shqiptare paraqiti dy alternativa të reja për vendndodhjen e tij, duke propozuar një ndryshim që e largon stacionin nga territori i aeroportit.
Sipas dokumenteve, projekti fillestar ishte miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 21 tetor 2021, me vendimin për lejen e ndërtimit të infrastrukturës së linjës Durrës-Tiranë dhe degëzimit të ri drejt Aeroportit të Rinasit.
Dy vite më vonë, Hekurudha Shqiptare, e drejtuar në atë kohë nga Ergys Verdho, paraqiti dy variante për vendosjen e stacionit: një brenda territorit të Forcave Ajrore dhe një tjetër përballë këtij territori, jashtë hapësirës aeroportuale.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në kohën kur drejtohej nga Belinda Balluku, përmes përgjigjes së zëvendësministrit Hantin Bonati, mbështeti alternativën e dytë, duke e konsideruar atë më të përshtatshme nga pikëpamja e sigurisë së qarkullimit në zonën aeroportuale dhe rrugore.
Në dokumentin e ministrisë argumentohej se varianti i propozuar ishte më optimal për sa i përket sigurisë së lëvizjes së automjeteve dhe organizimit të qarkullimit në këtë zonë.
Ndryshimi solli edhe shkurtimin e linjës hekurudhore. Sipas të dhënave të projektit të rishikuar, stacioni përfundimtar parashikohet në kilometrazhin 5+128, ndërsa në variantin e mëparshëm fundi i linjës ishte përcaktuar në kilometrin 5+800. Kjo do të thotë se segmenti hekurudhor është shkurtuar me rreth 672 metra.
Hekurudha Shqiptare e ka argumentuar këtë vendimmarrje me mundësinë e kursimit të fondeve publike, të cilat mund të përdoren për nevoja të tjera të institucionit. Për sa i përket distancës nga terminali, dokumentacioni e trajton atë si një gjatësi të përshkueshme në këmbë, por pranon se për disa kategori pasagjerësh nevojitet një zgjidhje e posaçme.
Konkretisht, për udhëtarët me aftësi të kufizuara, personat që përdorin karroca dhe ata që udhëtojnë me bagazhe, Hekurudha Shqiptare ka propozuar ofrimin e një shërbimi transporti ekspres me automjete shuttle-navetta, i cili do të ishte pjesë e operimit hekurudhor të pasagjerëve.
Megjithatë, dokumentet nuk paraqesin një zgjidhje të detajuar për mënyrën se si do të funksionojë ky shërbim, kush do ta administrojë dhe nëse përdorimi i tij do të përfshijë një pagesë shtesë për udhëtarët.
BERZH reagon për ndryshimin e projektit
Zhvendosja e stacionit ka tërhequr vëmendjen edhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një prej institucioneve që bashkëfinancon projektin.
Në një përgjigje zyrtare, BERZH konfirmon se është në dijeni të ndryshimit të vendndodhjes së stacionit dhe se po bashkëpunon me Hekurudhën Shqiptare dhe palët e tjera për të vlerësuar ndikimin e tij dhe për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për pasagjerët.
Banka thekson se synimi është garantimi i një lidhjeje të sigurt dhe efikase ndërmjet stacionit hekurudhor dhe terminalit të aeroportit.
Nga ana tjetër, BERZH sqaron se, megjithëse është bashkëfinancuese e projektit, përgjegjësia për vendimmarrjen dhe zbatimin e tij u takon institucioneve shqiptare.
Investimi 130 milionë euro, ende e paqartë lidhja direkte me terminalin
Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës është një investim me vlerë rreth 130 milionë euro, i financuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me BERZH-in. Projekti synon të krijojë një lidhje të rëndësishme hekurudhore mes dy qyteteve kryesore dhe aeroportit ndërkombëtar të vendit.
Sipas parashikimeve, udhëtimi me tren pritet të zgjasë rreth 22 minuta, ndërsa shpejtësia e projektuar e trenave arrin deri në 120 kilometra në orë.
Por ndryshimi i vendndodhjes së stacionit ka hapur një tjetër çështje që kërkon zgjidhje përpara vënies në funksion të linjës: transportin e udhëtarëve nga stacioni deri në terminalin e aeroportit.
Në një projekt që synon të lehtësojë udhëtimin drejt Rinasit dhe të krijojë një alternativë më të shpejtë transporti, mbetet për t’u sqaruar se si do të organizohet kjo lidhje, kush do të jetë përgjegjës për shërbimin shuttle dhe nëse pasagjerët do të duhet të paguajnë veçmas për të arritur në terminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



