Për 2027-ën Ministria e Bujqësisë do të marrë 17.9 miliardë lekë, nga 16.4 miliardë lekë këtë vit, ndërsa për skemën kombëtare që shpërndahet në pagesa për fermerët janë parashikuar 5.3 miliardë lekë, me rritje vetëm 100 milionë lekë nga ky vit.

Por a do të ketë ndryshim të skemës kombëtare për të rritur financimin për fermerët? Ministri i Bujqësisë Andis Salla tha në emisionin “Portofol” me gazetaren Eliza Gjediku në Report Tv se do të zhvillohen dëgjesa me qytetarët, në mënyrë që sugjerimet e tyre të përfshihen në skemën kombëtare.

“Siç kemi diskutuar edhe në komisionet përkatëse, buxheti i akorduar për vitin 2027 është rreth 18 miliardë lekë. Është një buxhet që vjen në rritje, këtë vit është 10 % më shumë se viti i kaluar. Kjo tregon një mundësi për sektorin bujqësor dhe për t’i afruar të gjitha mundësitë e financimeve dhe mbështetjes së fermerëve, por edhe mbështetjes ndaj fermerëve, apo investimet për bashkitë, apo bordet e kullimit që janë në territor për përmbytjet, sigurinë ushqimore, laboratorët, në mënyrë që të kemi një gjithëpërfshirje ndaj gjithë këtij buxheti. Dua të theksoj këtu se veç 18 miliardë lekë nga buxheti që është alokuar për ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, këtu kemi edhe disa indikatorë të tjerë që janë plotësues, por nuk janë të përfshirë ndaj buxhetit specifikisht, duke qenë si 10% i TVSH-së që mbulohet nga Ministria e Financave.

Skema Kombëtare është skema e mbështetjes, që këtë vit ne kemi akorduar 5.3 miliardë lekë për skemën kombëtare dhe është 1 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Ne do të bëjmë dëgjesa me fermerët, që ato problematika që mbase ne kemi pasur gjatë këtij viti apo sugjerime që ata kërkojnë, që nuk janë të përfshirë në skemën kombëtare, ne ta përfshijmë”, tha mes të tjerash Salla.

Gjithashtu janë parashikuar 3 miliardë lekë për kompensimin e TVSH-së me 10%, për të gjitha autofaturat që fermerët do të marrin nga grumbulluesit apo agroturizmat kur shesin produktet e tyre.

Ministri i Bujqësisë Andis Salla tha në “Portofol” se qeveria ka vendosur që ky indicator do të dyfishohet në vitin 2027, pasi sipas tij, vitin që po mbyllet kanë qenë në dispozicion 1.5 miliardë lekë për kompensimin e TVSH-së.

“Minimumi, është 3 miliardë lekë. Pra 30 milionë euro. Ne e kemi dyfishuar, kemi pasur 15 milionë euro në vitin 2026 dhe dyshemeja në vitin 2027 është 3 miliardë, ose 30 milionë euro. Dua të theksoj këtu se nga 6 mujori i parë që e kemi ndarë në 2 sezone 6 mujorin e parë dhe 6 mujorin e dytë, mund të them që është një shifër prej 12.5 milionë euro që kanë kaluar për fermerët nga aplikimet e tyre nga 10 %. Është një instrument shumë i mirë, sepse ne duke parë një mundësi të mirë për mbështetjen e fermerëve dhe drejtpërdrejtë pa burokraci apo dokumentacione, pra një mënyrë e drejtë ndaj përfitimit të tyre, kërkon vetëm një dokument si autofatura, është 12.5 milionë euro. Besojmë që në 6 mujorin tjetër që vjen tani në dhjetor, do të jetë një shifër akoma më e lartë sipas të gjitha informacioneve që ne kemi nga Drejtoria e Tatimeve, në mënyrë që të kalojmë në një buxhet tjetër mbështetje ndaj tyre. Duke parë këtë mundësi financimi apo mbështetje ndaj fermerëve, ne menduam që vitin 2027 ta dyfishojmë mbështetjen në këtë sektor”, shtoi Salla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:15
Kur do të hapen fondet IPARD III për Shqipërinë? Ministri Salla për Report Tv: I kemi plotësuar të gjitha detyrat që na janë lënë, presim përgjigjen nga BE

1794595939_andisalla.png

Pak ditë më parë në progres-raportin e Komisionit Evropian theksohej se fondet e IPARD vijojnë të bllokuara për shkak se ende nuk janë përmbushur të gjitha kriteret për mbrojtjen e fondeve nga keq menaxhimet.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tha në një intervistë për emisionin ‘Portofol’ me gazetaren Eliza Gjediku në Report Tv se qeveria i ka plotësuar të gjitha detyrat e lëna nga BE dhe sipas tij, por presin një përgjigje nga Unioni.

Ai tha gjithashtu se janë 148 milionë euro, sëbashku me fondet që do të vihen në dispozicion nga qeveria, që bujqësia shqiptare do të përfitojë.

“IPARD është shumë i domosdoshëm për Shqipërinë, e ka bërë sektorin të ecë me një ritëm tjetër. Ne e kemi bërë të gjithë dokumentacionin e këkuar, i kemi plotësuar të gjitha detyrat që na janë lënë. Është përmbushur e gjithë dosja e plotë dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre, në mënyrë që ne të jemi transparentë por edhe të gatshëm për ta zbatuar. Janë 148 milionë euro së bashku me fondet që vihen në dispozicion nga qeveria”, tha mes të tjerash ministri Salla.

IPARD III është bllokuar që në gusht të 2023-shit për shkak të dyshimeve për abuzim me fondet e IPARD II, çështje që po hetohet edhe nga drejtësia shqiptare.