
Pasagjerët që do të udhëtojnë me tren drejt Aeroportit të Rinasit do të duhet të përshkojnë rreth 500 metra për të mbërritur në terminal, për shkak të ndryshimit të projektit fillestar të hekurudhës Tiranë–Rinas–Durrës.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Top Channel, projekti i miratuar në vitin 2021 parashikonte ndërtimin e stacionit vetëm 60 metra larg terminalit. Megjithatë, dy vite më vonë, Hekurudha Shqiptare propozoi zhvendosjen e tij jashtë territorit të aeroportit, alternativë që u mbështet nga Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku.
Ky ndryshim shkurton linjën hekurudhore me 672 metra, ndërsa për transportin e pasagjerëve drejt terminalit parashikohet mundësia e një shërbimi me autobusë të posaçëm.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka konfirmuar se është në dijeni të problematikës dhe po bashkëpunon me institucionet shqiptare për gjetjen e një zgjidhjeje.
Projekti hekurudhor, me vlerë rreth 130 milionë euro, synon të lidhë Tiranën, Durrësin dhe Rinasin, por mbetet ende e paqartë se kush do të sigurojë transportin nga stacioni në terminal dhe sa do t’u kushtojë udhëtarëve.