Një aksident rrugor është shënuar në aksin Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet tip “Ford” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.
Në makinë, e cila ishte marrë me qira, udhëtonin tre motra dhe një foshnjë rreth dy muajshe. Drejtuesja e mjetit dyshohet se nuk ka arritur të dallojë kthesën, duke humbur kontrollin e automjetit.
Si pasojë e aksidentit, njëra prej pasagjereve ka marrë dëmtime të lehta, ndërsa ajo dhe foshnja janë transportuar në spitalin e Lushnjës për kontrolle mjekësore.
Mësohet se tre motrat, të cilat jetonin në Angli, ishin nisur drejt Beratit. Dyshimet paraprake lidhen me mungesën e ndriçimit në këtë segment rrugor, faktor që mund të ketë penguar drejtuesen të dallonte kthesën.
Fakti që automjeti po lëvizte me shpejtësi brenda normave të lejuara ka ndikuar që ngjarja të mos përfundonte me pasoja më të rënda. Makina ka pësuar dëme materiale, ndërsa fatmirësisht kanali ku përfundoi nuk kishte ujë.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Kjo kthesë rikthen edhe një herë shqetësimin për mungesën e ndriçimit dhe sigurinë e lëvizjes në këtë aks rrugor.
