Qendra do të ngrihet në qytetin e Rennes, në veriperëndim të Francës, dhe synon të fitojë njohjen e NATO-s. Ajo pritet të nisë funksionimin e plotë në vitin 2027.
Franca do të marrë drejtimin e krijimit të një qendre të re për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e mbrojtjes përmes inteligjencës artificiale, në bashkëpunim me disa vende partnere.
Ministria Franceze e Forcave të Armatosura njoftoi të enjten krijimin e kësaj qendre, e cila pritet të arrijë kapacitete të plota operacionale në vitin 2027. Sipas ministrisë, ajo do të ketë selinë në qytetin e Rennes, në veriperëndim të vendit, dhe do të synojë të fitojë njohjen e NATO-s.
Në një përgjigje për Euronews, Ministria e Forcave të Armatosura bëri të ditur se për momentin nuk mund të publikojë emrat e vendeve që do të jenë pjesë e kësaj nisme.
Krijimi i qendrës vjen në një kohë kur e ardhmja e partneritetit transatlantik në fushën e mbrojtjes po shoqërohet me pasiguri në rritje, ndërsa vendet evropiane synojnë të forcojnë autonominë e tyre strategjike dhe të pakësojnë varësinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përballë transformimit teknologjik që sjell inteligjenca artificiale, synimi ynë është të përshpejtojmë zhvillimin e ekspertizës dhe përdorimin e saj në mbështetje të operacioneve ushtarake, së bashku me aleatët tanë”, deklaroi Bertrand Rondepierre, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës Artificiale pranë Ministrisë Franceze të Mbrojtjes.
Rëndësia e inteligjencës artificiale në fushën ushtarake është rritur ndjeshëm që prej pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia. Veprimtaria e qendrës së re do të përqendrohet në nxitjen e përdorimit të kësaj teknologjie nga forcat e armatosura, si dhe në hartimin e praktikave dhe standardeve më të mira për zbatimin e saj në sektorin e mbrojtjes.
Sipas Ministrisë Franceze të Forcave të Armatosura, projekti ishte konceptuar fillimisht në kuadër të Qendrave të Ekselencës së NATO-s (Centres of Excellence), një rrjet organizatash ndërkombëtare ushtarake, të mbështetura nga një ose disa vende, të cilat i ofrojnë Aleancës ekspertizë të specializuar në fusha të ndryshme.
Megjithatë, pasi NATO pezulloi krijimin e qendrave të reja të ekselencës për të rishikuar politikën e saj në këtë drejtim, Franca vendosi të mos e shtyjë më tej projektin dhe të vijojë me planin fillestar, duke e ngritur qendrën jashtë kuadrit zyrtar të Aleancës.
Nisma synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse dhe të përshpejtojë zhvillimin e kapaciteteve të inteligjencës artificiale në shërbim të mbrojtjes, në një kohë kur teknologjitë e reja po ndryshojnë gjithnjë e më shumë mënyrën e zhvillimit të operacioneve ushtarake.








Komente
Komento