Një shtetase shqiptare është arrestuar mëngjesin e së premtes në Igumenicë, pasi në automjetin që drejtonte policia greke zbuloi mbi 86 kilogramë marijuanë.
Sipas autoriteteve, makina u ndalua gjatë kontrolleve të synuara, ndërsa brenda saj u gjetën 80 pako me lëndë narkotike, me peshë totale 86 kilogramë e 438 gramë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se droga ishte transportuar përmes kufirit të gjelbër me Shqipërinë dhe synohej të shpërndahej në territorin grek.
Policia sekuestroi lëndën narkotike dhe automjetin, ndërsa ndaj gruas u ngrit çështje penale. Ajo pritet të dërgohet përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë të Thesprotisë.
Sipas të dhënave të policisë greke, gjatë 15 muajve të fundit janë sekuestruar rreth 1.4 tonë marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.

Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me linjën Sarandë–Igumenicë, përmes së cilës, sipas raportimeve, është trafikuar pothuajse gjysma e sasisë së kapur në këto zona. Në një prej operacioneve të zhvilluara në Igumenicë, policia ka sekuestruar edhe një skaf të ngarkuar me drogë



