13 nëntori 2026 ishte data që tre studiues kishin përcaktuar 66 vite më parë si momentin kur rritja e popullsisë botërore do të arrinte një kufi të pamundur. Por dita e sotme nuk ka sjellë asnjë fund të botës. Pas këtij parashikimi, që është rikthyer në rrjetet sociale, qëndron një studim matematikor i vitit 1960, jo një profeci për zhdukjen e njerëzimit.
Fizikani Heinz von Foerster dhe studiuesit Patricia Mora e Lawrence Amiot, nga Universiteti i Illinoisit, kishin marrë në shqyrtim të dhënat e popullsisë së Tokës për një periudhë që niste nga viti 400 para Krishtit dhe përfundonte në vitin 1958.
Rezultatet i publikuan në revistën “Science”, në një artikull me titull “Dita e Gjykimit: E premte, 13 nëntor 2026”.
Llogaritjet tregonin se popullsia po shtohej gjithnjë e më shpejt. Nëse kjo prirje do të vazhdonte pa u ngadalësuar, modeli matematikor jepte një rezultat të pazakontë: më 13 nëntor 2026, numri i banorëve të planetit do të bëhej teorikisht i pafundëm.
Kjo nuk do të thoshte se shkencëtarët prisnin që bota të shkatërrohej atë ditë. Përkundrazi, përmes këtij rezultati ata tregonin se rritja e popullsisë nuk mund të vazhdonte pa kufi në një planet me hapësirë dhe burime të kufizuara.
Edhe zgjedhja e datës kishte një hollësi interesante. 13 nëntori ishte ditëlindja e von Foersterit dhe në vitin 2026 kjo datë binte të premten. Kështu, studimi mori edhe një titull që luante me besëtytninë e së premtes, datë 13.
Por ajo që ndodhi me popullsinë botërore gjatë dekadave të mëvonshme ishte ndryshe nga prirja mbi të cilën mbështetej modeli. Prej viteve 1970, rritja e popullsisë nisi të ngadalësohej. Në shumë vende lindjet ranë, duke ndryshuar parashikimet për numrin e banorëve të Tokës.
Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, popullsia botërore vlerësohet në rreth 8,2 miliardë njerëz. Ajo pritet të arrijë rreth 10,3 miliardë në mesin e viteve 2080 dhe më pas të nisë të bjerë gradualisht. Pra, ajo që u paraqit në vitin 1960 si një datë e frikshme ishte një mënyrë për të treguar se çfarë rezultati mund të jepte një model matematikor nëse rritja e popullsisë do të vazhdonte pa ndryshuar.
66 vite më vonë, parashikimi nuk është përmbushur, por çështja që ngrinte studimi mbetet: sa njerëz dhe sa nevoja mund të përballojë një planet me burime të kufizuara?