Sindikatat në Zvicër kërkojnë pagë minimale prej 5.000 frangash për personat me arsim profesional

Federata Zvicerane e Sindikatave (SGB) po shqyrton nisjen e një iniciative popullore për vendosjen e pagës minimale prej 5.000 frangash në muaj për të gjithë personat që kanë përfunduar një formim profesional.
Kërkesa është bërë nga Pierre-Yves Maillard, president i SGB-së dhe përfaqësues i Partisë Socialdemokrate (SP) në Këshillin e Shteteve nga kantoni i Vaud-it. Sipas tij, arsimi profesional duhet të ofrojë perspektiva më të mira edhe sa i përket pagave.
Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Maillard ka thënë se pagat reale të punonjësve që kanë përfunduar një praktikë profesionale kanë shënuar rënie, shkruan Watson.
"Kjo nuk mund të vazhdojë. Një ofensivë pagash është e nevojshme tani", ka deklaruar ai.
Propozimi i tij parasheh që çdo person me arsim profesional të përfunduar të ketë pagë prej së paku 5.000 frangash në muaj.
Sipas një analize të Federatës Zvicerane të Sindikatave, 28 për qind e të punësuarve me arsim profesional fitojnë më pak se 5.000 franga në muaj, ndërsa 15 për qind prej tyre marrin më pak se 4.500 franga.
Këto shifra janë llogaritur për një javë pune prej 40 orësh dhe 13 paga mujore. Në mesin e punonjësve që fitojnë nën këto nivele, gratë janë të përfaqësuara në mënyrë disproporcionale.
Rënia e pagave reale
Sipas Maillardit, paga reale mesatare e personave me arsim profesional ka rënë për 2.1 për qind krahasuar me vitin 2016, transmeton Telegrafi.
"Nuk mund të jetë e drejtë që dikush me trajnim profesional të humbasë fuqinë blerëse vit pas viti. Ne duhet ta ndalojmë këtë varfërim", ka thënë ai.
Kur mund të nisë iniciativa?
Për momentin, paga minimale prej 5.000 frangash mbetet një kërkesë e Maillardit dhe ende nuk është një propozim i miratuar.
Kongresi i Federatës Zvicerane të Sindikatave pritet të vendosë për këtë çështje në fund të javës. Në rast se propozimi merr miratimin, do të hartohet teksti i iniciativës popullore.
Ndërkaq, mbledhja e nënshkrimeve, nëse vendoset të vazhdohet me këtë proces, nuk pritet të nisë para vitit të ardhshëm./Telegrafi/




































