Katër vjet pasi gjyqtarët dhe prokurorët serbë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, vendet e tyre të punës vazhdojnë të jenë të paplotësuara.

Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian që Kosova të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor nga komuniteti serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialog dhe ligjet e Kosovës, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor nuk pranuan tërheqjen e dorëheqjeve.

Me këtë vendim, iu mbyll edhe rruga kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në pozitat e mëparshme, ndërsa institucionet nisën procedurat për rekrutimin e kuadrove të reja përmes konkurseve.

Deri kur do të mbetet i hapur konkursi?

Këshilli Prokurorial i Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se deri më tani nuk është emëruar asnjë prokuror i ri nga komuniteti serb dhe se konkursi do të mbetet i hapur derisa të plotësohen të dhjetë pozitat e rezervuara për këtë komunitet.

Sipas të dhënave të Këshillit Prokurorial, deri tani kanë aplikuar tre kandidatë.

“Ata iu nënshtruan testit kualifikues dhe e kaluan atë me sukses, duke i përmbushur kushtet për të vazhduar në fazat e ardhshme të konkursit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ka pasur aplikime në konkursin për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj nga komuniteti serb dhe nëse, ndërkohë, është plotësuar ndonjë nga pozitat e lira.

Çfarë thotë BE-ja?

BE-ja nuk ka ndonjë koment të ri. Radio Evropa e Lirë iu drejtua me pyetjen nëse ekziston ndonjë zgjidhje për plotësimin e të gjitha pozitave të rezervuara për komunitetin serb në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por nuk mori përgjigje.

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian, të publikuar më 4 nëntor, konstatohet se riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nuk është mundësuar.

Raporti thekson se vendimet për pranimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti serb, “nuk janë në përputhje me objektivat dhe detyrimet që Kosova i ka marrë përsipër me Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015”.

Në bazë të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pjesëtarët e strukturave serbe të drejtësisë dhe policisë janë integruar në sistemin e Kosovës.

BE-ja rikujton, gjithashtu, se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 përbënte shkelje të detyrimeve të Serbisë, pasi ky veprim ishte mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Në raportin e Komisionit Evropian thuhet, po ashtu, se përfaqësimi i kufizuar i serbëve në sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës ua vështirëson qytetarëve qasjen në drejtësi dhe rrit mosbesimin e publikut ndaj institucioneve.

Komisioni konstaton se përpjekjet për të rekrutuar pjesëtarë të rinj nga komunitetet joshumicë, nuk kanë dhënë deri më tani rezultate të konsiderueshme.

Pse u larguan serbët nga institucionet e Kosovës?

Pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të nëntorit të vitit 2022, me nismën e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Ky veprim erdhi si përgjigje ndaj përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e makinave që i lëshonte Serbia.

Përveç punonjësve të policisë dhe të pushtetit lokal, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pas një sërë krizash në veri, që kulmuan në vitin 2023 me sulmin e armatosur të një grupi serbësh ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndryshoi plotësisht qëndrimin e tij.

Ndonëse fillimisht kishte mbështetur largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, ai më pas kërkoi kthimin e tyre në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë.

Po ashtu, gjatë një tubimi parazgjedhor në Zubin Potok, në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, Sërgjan Vuloviç nga Lista Serbe deklaroi se vendimi për largimin nga institucionet e Kosovës, ishte marrë për t’ia tërhequr vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare ndaj, siç tha, “gjendjes së vështirë” të serbëve.

Megjithatë, ai pranoi se ky vendim ishte i gabuar dhe se duhej të korrigjohej.

Çfarë është duke ndodhur me pozitat e lira në polici?

Përveç sistemit të drejtësisë, prej katër vjetësh mbetet e paplotësuar edhe pozita e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës për veriun.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, thotë për Radion Evropa e Lirë se askush nuk e ka kontaktuar lidhur me procedurën për emërimin e drejtorit të ri rajonal.

Ai pretendon se institucionet qendrore të Kosovës refuzojnë të bashkëpunojnë me komunat që udhëhiqen nga kryetarë serbë.

Sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, drejtori rajonal i Policisë për veriun duhet të jetë serb i Kosovës.

Ai emërohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, nga një listë kandidatësh që propozohet nga kryetarët e katër komunave veriore.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse po shqyrtohet emërimi i drejtorit të ri rajonal të Policisë për veriun.

Gjatë katër vjetëve të fundit, pjesëtarë të komunitetit serb kanë kritikuar veprimet e Policisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për sjellje diskriminuese.

Në vitin 2022, përveç zyrtarëve të lartë policorë, dorëheqje dhanë edhe mbi 550 policë serbë, të cilët u zëvendësuan kryesisht nga policë shqiptarë.

Ndërkohë u rekrutuan edhe rreth 150 policë të rinj nga komuniteti serb, shumë prej të cilëve vijnë nga komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.

Të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë udhëhiqen nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar disa herë se bashkëpunimi me Listën Serbe nuk është i mundur, pasi, sipas tij, ajo vepron si “dorë e zgjatur” e ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pse është e rëndësishme prania e serbëve në sistemin e drejtësisë?

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se numri i kandidatëve të kualifikuar nga komuniteti serb që aplikojnë për pozitat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, është i kufizuar.

Për këtë arsye, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë për t’i nxitur ata që të aplikojnë.

“Veçanërisht Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, duhet të ndërmarrin veprime të koordinuara për informimin e publikut dhe kontaktimin e drejtpërdrejtë të kandidatëve të mundshëm, në mënyrë që serbët e Kosovës që i plotësojnë kushtet, të inkurajohen të aplikojnë për pozitat e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujton se, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe detyrimeve ndërkombëtare që vendi ka marrë përsipër, sistemi i drejtësisë duhet të pasqyrojë karakterin shumetnik të shoqërisë dhe të sigurojë përfaqësim të duhur të komuniteteve joshumicë.

“Përfaqësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nuk është vetëm çështje politike apo kërkesë që buron nga dialogu i Brukselit. Ai është detyrim kushtetues dhe kusht thelbësor për t’u garantuar të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje të barabartë në drejtësi”, thekson Miftaraj.

Rapajiç: Vullneti për riintegrimin e serbëve në veri mungon

Aleksandar Rapajiç, nga organizata joqeveritare Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC), vlerëson se autoriteteve të Kosovës u mungon vullneti për të siguruar përfaqësimin e serbëve në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në veri të vendit.

Si shembull, ai përmend këmbënguljen e institucioneve për t’i pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, ndonëse në komunitetin serb nuk ka shumë juristë me përvojë që mund t’i zëvendësojnë ata.

Për këtë arsye, Rapajiç dyshon se të gjitha pozitat e rezervuara për gjyqtarët dhe prokurorët serbë, do të plotësohen së shpejti.

“Ata [autoritetet e Kosovës] janë plotësisht të vetëdijshëm se, me kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, shumë raste do të zgjidheshin ose të paktën do të fillonin të trajtoheshin”, thotë ai.

Si shembull, Rapajiç përmend rrënimin e shtëpive të pushimit pranë Liqenit të Ujmanit, pa urdhra gjyqësorë.

“Nëse ndërmerren veprime të paligjshme dhe prokurorët e gjyqtarët nuk reagojnë, atëherë gjithçka mbetet e paqartë dhe e pazgjidhur”, thotë ai, duke shtuar se kjo është një nga arsyet pse serbët nuk kanë besim në institucionet e Kosovës.

Edhe Komisioni Evropian, në raportin e tij për Kosovën, kritikon rrënimin e objekteve private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore.

“Masa të pakthyeshme po zbatohen, ndërkohë që procedurat gjyqësore lidhur me ankesat janë ende në zhvillim - gjë që ngre shqetësime për mundësinë e shfrytëzimit të mjeteve juridike efektive”, thuhet në raport.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se objektet pranë Liqenit të Ujmanit janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga ndërmarrja publike Ibër-Lepenc.

Pronarët kanë deklaruar se për këto objekte po zhvilloheshin procese gjyqësore dhe se rrënimi nuk duhej të kryhej para përfundimit të tyre.

Megjithatë, objektet janë rrënuar, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian që aksioni të ndërpritej urgjentisht, derisa të adresoheshin shqetësimet lidhur me respektimin e procedurave të rregullta ligjore./ REL