Kosova nuk i ka ende kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar Gert Jan Koopman, drejtor i Përgjithshëm për Negociatat me Vendet e Fqinjësisë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, duke kritikuar ashpër miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një intervistë për Atlantic Council Europe Center, Koopman tha se personalisht mbështet nisjen e shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, sipas tij, procesi pengohet nga disa çështje politike dhe institucionale.
“Personalisht, besoj se është shumë e rëndësishme që të fillojmë shqyrtimin e aplikimit të saj. Mendoj se, siç e dini, pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën janë hezituese. Por nuk bëhet fjalë vetëm për këto pesë shtete. Ka pasur gjithashtu probleme në veri të vendit dhe tani është rikthyer çështja e Dhomave të Specializuara”, deklaroi Koopman.
Ai e cilësoi miratimin e ligjit për Specialen si “jashtëzakonisht të padobishëm”, duke theksuar se Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian, veçanërisht për shkak të situatës delikate që krijon mosnjohja nga pesë vende të BE-së.
“E kuptoj se sot është miratuar një ligj. Kjo është jashtëzakonisht e padobishme. Unë do ta shihja çështjen në mënyrë të kundërt: për shkak se kemi një situatë delikate institucionale, me pesë shtete që nuk e njohin Kosovën, vendi në të gjitha këto çështje të tjera duhet vërtet të tregojë dhe të dëshmojë plotësisht përkushtimin e tij ndaj rrugës evropiane”, u shpreh ai.
Koopman theksoi se ligji për Dhomat e Specializuara nuk duhet të miratohet dhe se institucionet e Kosovës duhet të garantojnë menaxhimin e duhur të situatës në veri.
“Kjo do të thotë të mos miratohet ligji për Dhomat e Specializuara dhe të sigurohet që situata në veri të vendit të menaxhohet siç duhet. Mendoj se, nëse kjo bëhet, është plotësisht e realizueshme që Këshilli i Bashkimit Evropian ta ftojë Komisionin Evropian të fillojë punën për aplikimin dhe të japë një opinion, që është hapi i ardhshëm. Më pas, i takon Këshillit të vendosë nëse Kosovës do t’i jepet apo jo statusi i vendit kandidat”, tha zyrtari i Komisionit Evropian.
Sipas tij, dhënia e statusit kandidat nuk do të ishte një proces shumë i vështirë nëse Kosova përmbush kërkesat e përmendura. Ai kujtoi se vendi është pjesë e procesit të zgjerimit dhe përfiton financime përmes Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA).
“Prandaj, nuk mendoj se duhet të jetë shumë e vështirë që vendet t’i japin Kosovës statusin e vendit kandidat, me kusht që ajo t’i përmbushë të gjitha këto kërkesa. Por ende nuk jemi në atë pikë”, përfundoi Koopman.


