Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po ushtron presion ndaj presidentit amerikan Donald Trump për të rifilluar operacionet ushtarake kundër Iranit, ndërsa kreu i Mossadit, Roman Gofman, ndodhet në SHBA për takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
Sipas një raportimi të Axios, që citon tre burime të njohura me kontaktet, Gofman pritet të takohet në Uashington me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe. Më pas, ai pritet të udhëtojë drejt Miamit, ku do të zhvillojë një takim me të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.
Vizita zhvillohet në një moment kur Netanyahu po shton përpjekjet për të bindur Trumpin që SHBA-ja dhe Izraeli të rikthehen në një përballje ushtarake me Teheranin. Megjithatë, presidenti amerikan nuk e ka miratuar deri më tani propozimin e kryeministrit izraelit për rifillimin e sulmeve.
Sipas Axios, çështja është diskutuar edhe gjatë një bisede telefonike mes Trumpit dhe Netanyahut më 5 nëntor. Një zyrtar amerikan ka konfirmuar se tema ishte pjesë e diskutimit mes dy liderëve.
Për momentin, Trump duket se favorizon vazhdimin e bllokadës detare dhe presionit ekonomik ndaj Iranit, në koordinim me Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në të njëjtën kohë, administrata amerikane po e mban të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Teheranin.
Prania e kreut të Mossadit në SHBA vjen në një periudhë vendimtare për përcaktimin e hapave të ardhshëm ndaj Iranit, ndërsa mbetet e paqartë nëse Uashingtoni do t’i përgjigjet kërkesës së Netanyahut për rikthimin te opsioni ushtarak.


