Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Lulëzim Pepës, Fatjon Markut, Aleks (Shkëlqim) Pepajt dhe Ilir Lazrit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.
Katër kërkuesit i janë drejtuar GJKKO-së më 5 nëntor 2026, duke kërkuar gjithashtu që Prokuroria të paraqiste informacion me shkrim mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit.
Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Alma Kodraliu, me vendimin nr. 995, datë 13 nëntor 2026, vendosi rrëzimin e saj. Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të ngarkohen mbi kërkuesit.
Ndaj këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda pesë ditëve, duke filluar nga dita pas njoftimit të vendimit.
Akuzat ndaj tyre
Lulëzim Pepa, Fatjon Marku, Aleks (Shkëlqim) Pepaj dhe Ilir Lazri, dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi dyshohet se ka trafikuar mbi 7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës gjatë viteve 2019–2021, përmes të paktën tetë episodeve të transportit të drogës, duke përdorur porte në Roterdam dhe Amsterdam.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu dyshime për pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë të përllogaritur rreth 12 milionë euro.












