Qytetet franceze përgatiten për raundin e pestë të demonstratave kundër problemeve në arsim dhe kostos së lartë të jetesës. Autoritetet paralajmërojnë masa të shtuara sigurie dhe dhjetëra marshime në mbarë vendin.
Franca po përgatitet për një tjetër valë protestash masive, ndërsa qytetarët pritet të dalin në rrugë të shtunën për raundin e pestë të demonstratave, të nxitura nga pakënaqësitë për çështjet e arsimit dhe rritjen e kostos së jetesës.
Sipas njoftimit të ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez, dhjetëra marshime janë planifikuar në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa rreth 70 mijë efektivë të policisë do të jenë në gatishmëri për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Ministri bëri të ditur se vendosja e forcave të sigurisë do të jetë e ngjashme me atë të fundjavës së kaluar, duke theksuar se operacionet do të përshtaten në varësi të zhvillimeve në terren.
“Do të kemi të njëjtën vendosje të forcave policore si të shtunën e kaluar”, deklaroi Nuñez.
Ai shtoi se masat do të jenë fleksibile dhe të përshtatura për të përballuar veprimet e grupeve me rrezik të lartë, të cilat mund të organizohen në grupe të vogla për të shmangur ndërhyrjen e autoriteteve.
“Ne do të jemi të gatshëm për çdo gjë që lidhet me vandalizmin dhe plaçkitjen”, theksoi ministri francez.
Autoritetet kanë rritur gatishmërinë në prag të protestave, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen marshimet dhe nëse demonstratat do të shoqërohen me incidente apo përplasje me policinë.
