Një investigim i publikuar nga prestigjiozja italiane “Corriere della Sera” hedh dritë mbi aktivitetin e rrjeteve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke zbuluar lidhjet e tyre me organizata mafioze në Evropë dhe strehimin e disa prej personazheve kryesorë në Dubai.
Në qendër të shkrimit janë disa emra të njohur të botës kriminale, mes tyre Sheval Muaremi, Eneo Carka, i njohur me nofkën “Napoleoni”, dhe Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari. Sipas medias italiane, këta persona dyshohet se kanë lidhje me rrjete të trafikut të drogës që shtrihen në disa shtete evropiane, përfshirë Belgjikën, Britaninë e Madhe dhe Italinë.
Investigimi ndalet veçanërisht te klani i Sarajit, në periferi të Shkupit, i cili përshkruhet si një nga strukturat kriminale me ndikim në trafikun e kokainës në rajon. Duke cituar Xhelal Nezirin, drejtues i Institutit Ballkanik për Median dhe Demokracinë në Tetovë, gazeta sjell në vëmendje ndikimin e krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut.
“Çdo shtet e ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka në pronësi një shtet”, citohet të ketë deklaruar Neziri.
Një nga personazhet kryesore të investigimit është Sheval Muaremi, 49 vjeç, ndaj të cilit, sipas gazetës, rëndojnë urdhërarreste për vrasje, organizatë kriminale dhe trafikim të sasive të mëdha të kokainës. Ai raportohet se prej dy vitesh jeton në Dubai, ku vazhdon të shfaqet në rrjetet sociale.
Vëmendje të veçantë “Corriere della Sera” i kushton edhe Eneo Carkës, 44 vjeç, i njohur si “Napoleoni”. Sipas raportimit, emri i tij është lidhur me transportimin e sasive të mëdha të kokainës drejt Belgjikës, Britanisë së Madhe dhe rajonit të Ligurias në Itali, konkretisht në La Spezia.
Carka përshkruhet si një personazh me ndikim në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës, i cili flet disa gjuhë dhe përdor mjete të sofistikuara komunikimi. Sipas investigimit, ai ka pasur gjithashtu lidhje me persona të përfshirë në logjistikën dhe pagesat e ngarkesave të kokainës në Itali.
Artikulli evidenton edhe marrëdhëniet e dyshuara mes rrjeteve shqiptare dhe organizatës mafioze italiane ’Ndrangheta. Sipas gazetës, pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve me disa përfaqësues të mafias kalabreze, rrjetet shqiptare janë kthyer në aktorë të rëndësishëm në zinxhirin e furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës në Evropë.
Në investigim përmendet gjithashtu Denis Matoshi, 37 vjeç, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Pas një periudhe qëndrimi në Dubai, ai u ekstradua në Belgjikë, pas kërkesës së autoriteteve të këtij shteti.
Ndërkohë, në Emiratet e Bashkuara Arabe ka mbetur ish-bashkëshortja e tij, Suada, ish-Miss Shqipëria dhe personazh i njohur i botës së spektaklit. Sipas të dhënave të përmendura nga autoritetet belge në raportimin e medias italiane, ajo zotëron pasuri të paluajtshme në Dubai me vlerë rreth 17 milionë euro.
“Corriere della Sera” shkruan se Suada vijon jetën në Dubai, ku organizon festa luksoze së bashku me partnerin e saj të ri, një shtetas arab me pasuri të konsiderueshme.
Investigimi përshkruan kështu një panoramë të rrjeteve kriminale shqiptare që, sipas pretendimeve të hetuesve dhe raportimeve të medias italiane, kanë zgjeruar aktivitetin përtej kufijve të Ballkanit, duke krijuar lidhje me organizata të fuqishme kriminale në Evropë dhe duke përdorur Dubain si një nga destinacionet ku disa prej personazheve të kërkuar kanë gjetur strehim.


