Microsoft ka njoftuar se shërbimet e saj po rikthehen gradualisht në normalitet, pas një ndërprerjeje globale që preku përdoruesit e Outlook, Teams dhe programit të inteligjencës artificiale Copilot.
Kompania bëri të ditur se po vëren përmirësime dhe se radhët e mesazheve elektronike po i afrohen niveleve normale.
Megjithatë, përdoruesit mund të përballen ende me probleme të herëpashershme në aksesin ndaj shërbimeve, më shumë se 20 orë pasi nisën vështirësitë, sipas BBC.
Microsoft theksoi se deri më tani nuk ka prova për ndonjë aktivitet keqdashës që mund të ketë shkaktuar ndërprerjen.
Ndërprerja prek edhe institucione dhe shërbime publike
Pasojat e problemit janë ndier edhe në institucione të rëndësishme.
NHS England, shërbimi shëndetësor publik në Angli, deklaroi se ndërprerja po shkaktonte vështirësi për stafin, por theksoi se vizitat dhe takimet me pacientët mund të vijojnë.
Ndërkohë, disa shkolla u kanë kërkuar prindërve që të komunikojnë me institucionet përmes telefonit dhe jo me email, për shkak të problemeve me shërbimet e Microsoft.
Vështirësi janë raportuar gjithashtu nga qeveria federale amerikane dhe sistemet gjyqësore në SHBA.
Pasojat për përdoruesit dhe bizneset
Ndërprerja ka ndikuar edhe në aktivitetin e qytetarëve dhe bizneseve. Georgia, nga Staffordshire në Britani, tregoi se problemi ka vonuar përfundimin e procesit të blerjes së shtëpisë së saj të parë.
Ndërsa prodhuesi i verës nga Afrika e Jugut, Peter Pentz, deklaroi se komunikimi me eksportuesit e tij në Europë është ndërprerë pothuajse plotësisht.
Microsoft po vijon punën për rikthimin e plotë të shërbimeve, ndërsa përdoruesit mund të përballen ende me ndërprerje të përkohshme dhe vonesa në marrjen e mesazheve elektronike.
