Muçollari: Rama e ka kthyer Parlamentin në një tufë kartonash, dorëheqja e tij është e vetmja zgjidhje

16:55, 13/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një intervistë në Syri TV, anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar Parlamentin në një instrument në shërbim të qeverisë dhe interesave të një njeriu të vetëm, duke cenuar funksionimin e republikës parlamentare dhe të drejtat e opozitës.

Muçollari theksoi se Shqipëria po përballet me një pushtet autokratik, i cili shpërfill kërkesat e shoqërisë dhe të opozitës, ndërsa nënvizoi se Partia Demokratike ka përgjegjësinë të bashkojë të gjitha flukset opozitare përballë qeverisë Rama.

Ai tha se edhe hapja 100% e listave zgjedhore nuk përbën zgjidhje nëse mazhoranca vijon të përdorë shtetin si instrument për manipulimin e vullnetit të zgjedhësve.

Muçollari u shpreh se problemi nuk qëndron vetëm te sistemi zgjedhor, por te mënyra se si Edi Rama ushtron pushtetin, duke theksuar se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është pjesë thelbësore e zgjidhjes politike që kërkojnë opozita dhe protestuesit.

Pjesë nga intervista:

Kjo situatë sikur e ka galvanizuar tashmë edhe politikën. Tani, të jemi të qartë dhe të sinqertë para publikut: proceset zgjedhore janë të pashmangshme. Kjo do të thotë që, pavarësisht mënyrës se si po bëhet, mënyrës se si mazhoranca e ka trajtuar Parlamentin, shoqërinë, kërkesat e saj, kërkesat e opozitës, marrëdhënia gati-gati sunduese në raport me shoqërinë dhe me opozitën...

Opozita parlamentare, deputetët në Parlament, kanë për detyrë të paraqesin zgjidhje që lidhen me situatën e caktuar. Dhe këto janë zgjidhje për të cilat është folur nga opozita dhe nga Partia Demokratike prej kohësh tashmë. Edhe vetë protesta, pavarësisht përqasjeve të ndryshme të njerëzve që janë në protestë apo protagonizmit të protestës, në raport qoftë me opozitën apo me cilindo që është pjesëmarrës në protestë, mbështetet te argumentet që ka ndërtuar kjo opozitë, të mira apo të këqija, sipas atyre që i konsiderojnë të tilla. Por, me sa duket, paska edhe disa aty që mund të kenë rënë pre e një mendimi, tashmë, le të themi, për revolucion dhe për ndryshimin e një sistemi të gjerë, që nuk duhet të përfshijë vetëm mazhorancën, por edhe opozitën.

Por patjetër që opozita prej kohësh ka folur se këtu kemi një problem të një sistemi të ngritur tashmë në kushtet e një paligjshmërie të fortë morale, sepse edhe aty ku janë ndërtuar ligjet, janë ndërtuar në mënyrë amorale, duke cenuar të drejtat e njeriut, të drejtat e një shoqërie, të drejtat e opozitës dhe të drejtat që duhet të ketë një republikë parlamentare.

Nëse trajtohet Parlamenti si një tufë kartonash, vetëm në shërbim të një njeriu dhe vetëm të qeverisë, atëherë ka rënë koncepti i republikës parlamentare dhe kjo ka ndodhur prej kohësh tashmë.

Ajo që është pozitive është se sot njerëzit po flasin, sot njerëzit po kërkojnë zgjidhje, zgjidhje politike, e cila mund të ndryshojë qasjen e qeverisë ndaj votuesve dhe qasjen e Parlamentit ndaj qeverisë.

Dhe jo më kot këto lidhen me disa çështje të caktuara.

Partisë Demokratike i takon të çojë propozimin e vet. Patjetër që ka përgjegjësi këtë radhë, edhe më të madhe sesa më parë, për të përfaqësuar të gjitha flukset opozitare, të gjitha kërkesat e flukseve opozitare, si një mënyrë, si një hap i parë për ta bashkuar opozitën përballë një pushteti autokratik.

Por, të kuptohemi, çfarëdo sistemi zgjedhor dhe çfarëdo ndryshimesh që mund të bëhen nuk janë zgjidhje nëse qeveria vendos përsëri ta përdorë shtetin si instrumentin kryesor për manipulimin e vullnetit zgjedhor.

Sepse sot, nëse Partia Demokratike kërkon me të drejtë, së bashku me partitë opozitare, hapjen 100 për qind të listave, një kërkesë shumë të drejtë, apo të mos harrojmë që në zgjedhjet e gati një viti më parë, Saranda Miles doli nga listat e hapura, kjo do të thotë se hapja e listave nuk e zgjidh tërësisht problemin. Prandaj Partia Demokratike dhe protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco