Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka dënuar dhunën, intimidimin dhe sulmet në internet ndaj grave të angazhuara në politikë dhe në jetën publike, duke theksuar se këto fenomene cenojnë drejtpërdrejt demokracinë dhe përfaqësimin qytetar.
Deklaratat e saj u bënë gjatë pjesëmarrjes në panelin “Anatomia e dhunës në politikë”, të organizuar në prag të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe deputete nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Parlamenti Evropian.
“Dhuna, intimidimi dhe abuzimi në internet nuk kanë vend në politikë. Megjithatë, gratë që angazhohen në jetën publike vihen shumë shpesh në shënjestër”, u shpreh ambasadorja e BE-së.
Moreira de Sousa nënvizoi se pasojat e këtyre sulmeve shkojnë përtej individëve të prekur, pasi krijojnë pengesa për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe në jetën politike.
Ajo theksoi se kur gratë detyrohen të tërhiqen nga politika për shkak të abuzimit dhe intimidimit, humbje pëson edhe përfaqësimi demokratik.
“Kur abuzimi i detyron gratë të largohen nga politika, qytetarët humbasin zërat që kanë zgjedhur të dëgjojnë”, deklaroi Moreira de Sousa.
Në përfundim, ambasadorja theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk lidhet vetëm me reformat institucionale, por edhe me ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar të ketë mundësi të kandidojë, të shprehë lirshëm mendimin dhe t’i shërbejë publikut pa frikë nga dhuna apo intimidimi.


