Një ndërprerje e gjerë në shërbimet e Microsoft ka shkaktuar probleme për mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës, duke prekur platformat Outlook, Teams dhe disa shërbime të tjera të paketës Microsoft 365, duke prekur edhe Policinë.
Problemet nisën të enjten dhe vijuan edhe gjatë së premtes, duke penguar përdoruesit të dërgonin dhe merrnin email-e, të hapnin kutitë postare apo të përdornin disa funksione të komunikimit në punë.
Sipas raportimeve të faqes Downdetector, në kulmin e ndërprerjes u regjistruan afro 130 mijë raportime për probleme me shërbimet e Microsoft. Përveç Outlook dhe Teams, ndërprerja preku edhe Word, Excel, PowerPoint, SharePoint, OneDrive dhe asistentin me inteligjencë artificiale Copilot.
Microsoft bëri të ditur se problemi lidhej me një numër të madh serverësh që ishin bërë papritur të padisponueshëm, duke rritur ngarkesën mbi pjesën tjetër të infrastrukturës.