Sport

Brazili, Ancelotti jep mesazhin që lehtëson klubet: Të gjithë klubet të rrinë të qetë, shëndeti i futbollistëve është prioritet

Carlo Ancelotti këtë të premte vendosi t’i japë një mesazh qetësie Barcelonës dhe të gjithë klubeve të tjerë për futbollistët që ka në dispozicion te kombëtarja e Brazilit. Trajneri italian la të kuptohet qartë se nuk do të sforcojë futbollistët në dy ndeshjet miqësore që Seleçao do të luajë këto ditë kundër Japonisë dhe Singaporit.

Në mënyrë të veçantë, ajo që ka qenë e shqetësuar në këtë pikë, ka qenë Barcelona që kishte në qendër të vëmengjes gjendjen e Raphinhas  i cili në 3 ndeshjet e fundit të Brazilit ka pasur dëmtime

‘Shëndeti i lojtarëve është gjithnjë prioritet-tha Ancelotti-nëse një futbollist stërvitet në 100% dhe është në formë, mund të luajë. Në këtë aspekt, menaxhojmë minutat që duhet të luajë. Nëse nuk stërvitet, nuk luan. Ne dëshirojmë që gjithmonë t’ia kthejmë klubit një sportist në gjendje të mirë fizike, të përgatitur siç duhet, që të jetë stërvitur dhe të ketë luajtur, pa pasur nevojë t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore’

Ish trajneri i Realit të Madridit këmbënguli në mesazhin e tij për të qetësuar klubet.

‘Klubet dhe të gjithë të tjerët mund të rrinë të qetë me kombëtaren. Pse? Sepse kemi të gjithë informacionin e mundshëm dhe të nevojshëm e për më tepër kemi një grup pune të një niveli botëror-shtoi Ancelotti-Kur një lojtar vjen te Seleçao, të gjithë klubet mund të rrijnë të qetë sepse shëndeti i sportistit është prioritet. Këtë javë, Bruno nuk u stërvit gjatë gjithë kohës sepse kishte një shqetësim të vogël. Është mirë dhe mund të luajë. Deri kur? Nuk e di. Duhet ta vlerësojmë, por kemi të gjithë informacionin dhe gjithnjë e kemi informacionin e nevojshëm për të kontrolluar minutazhin e futbollistëve’.