Një grevë e punonjësve të transportit publik ka shkaktuar ndërprerje dhe vonesa në qarkullimin e autobusëve, tramvajeve dhe metrosë në disa zona të Italisë, përfshirë Milanon, Monzën, Brianza-n dhe Venecian.

Sipas mediave italiane kompanitë e transportit ATM dhe ATVO kanë paralajmëruar udhëtarët për probleme në shërbimin e transportit gjatë ditës, për shkak të protestës së organizuar nga disa sindikata.

Në Milano, Monza dhe Brianza, greva është thirrur nga sindikatat “AL Cobas” dhe “Confial Trasporti”. Kompania ATM ka njoftuar se shërbimi nuk do të garantohet nga ora 08:45 deri në 15:00 dhe pas orës 18:00 deri në përfundim të shërbimit.

Punonjësit kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e sigurisë, paga më të larta dhe organizim më të mirë të orareve. Ndër kërkesat kryesore është edhe rritja e pagave me 150 euro neto, si dhe kalimi i punonjësve nga kontratat me kohë të pjesshme në ato me kohë të plotë.

Ndërkohë, në Venecia është paralajmëruar një grevë 24-orëshe e punonjësve të kompanisë ATVO, e cila mund të sjellë ndërprerje të transportit gjatë gjithë ditës. Problemet mund të prekin gjithashtu shërbimet e biletarisë, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve në zonat e prekura.