Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Lulëzim Pepës, Fatjon Markut, Aleks (Shkëlqim) Pepajt dhe Ilir Lazrit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë sigurie.

Ata janë pjesë e një grupi kriminal prej 11 personash, të drejtuar nga Jetmir Pepa. të akuzuar nga SPAK për trafikim ndërkombëtar të rreth 7.5 tonë lëndëve narkotike të llojit kokainë.

Pas vendimit të trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtarja Alma Kodraliu, ata do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa SPAK vijon hetimet ndaj tyre.

Ndaj këtij vendimi lejohet ankimim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda pesë ditëve, duke filluar nga dita pas njoftimit të vendimit.

SPAK ka zbuluar 8 episode të trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Europës, të grupit të Jetmir Pepës. Ky i fundit u arrestua në Dubai në muajin qershor të këtij viti dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Për grupin kriminal të Pepës, SPAK, me miratimin e GJKKO-së lëshoi 11 masa sigurie ‘arrest me burg’, një pjesë e të cilave ende të paekzekutuara.

232 pasuri me vlerë 12 milionë euro janë vendosur nën sekuestro, ndërkohë që SPAK njoftonte se vetëm në 2020-n grupi arriti të fuste në Evropë 7.5 tonë kokainë. Grupi operonte në Amerikën Latine, në Belgjikë dhe Holandë.

Jetmir Pepa, është edhe një personazh i njohur në Shqipëri për bizneset dhe jetën mes lajmeve rozë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë