Tashmë nuk ka më dyshime. Maurizio Pochettino do të jetë trajneri i ri i Manchester United, duke pasuar Michael Carrick të shkarkuar. Klubi nga Manchester-i thotë se ka arritur akordin me federatën amerikane të futbollit për të liruar nga kontrata trajnerin argjentinas dhe stafin e tij. Më herët mediat kishin bërë më dije se flitej për një klauzolë 7 milionë paund.

Njoftimi i Manchester United për Pochettino-n

“Mauricio Pochettino ka rënë dakord të marrë drejtimin e ekipit të parë të meshkujve të Manchester United, duke nisur nga data 18 nëntor.

Klubi ka arritur një marrëveshje me Federatën Amerikane të Futbollit që Mauricio dhe stafi i tij të lirohen nga detyrimet e tyre pas përfundimit të angazhimeve me Kombëtaren e Meshkujve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Argjentinasi njihet për stilin e tij të lojës me intensitet të lartë dhe karakter sulmues, përkushtimin ndaj ndërtimit të skuadrave të forta dhe të bashkuara, si dhe rekordin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin individual të futbollistëve.

Pochettino ka treguar vazhdimisht se është në gjendje të performojë në nivelet më të larta të futbollit, në kampionate të ndryshme. Ai e nisi karrierën si trajner te Espanyol në vitin 2009, përpara se të merrte drejtimin e Southampton, me të cilin arriti në vitin 2014 një rekord pikësh për klubin në Premier League.

Gjatë pesë sezoneve të plota te Tottenham Hotspur, Pochettino e konsolidoi klubin si një skuadër që konkurronte rregullisht për pjesëmarrjen në UEFA Champions League. Ai siguroi kualifikimin në këtë kompeticion për katër sezone radhazi dhe e udhëhoqi klubin drejt finales së parë në historinë e tij në këtë turne, në vitin 2019.

Në vitin 2021, ai iu bashkua Paris Saint-Germain, ku fitoi titullin e Ligue 1, Kupën e Francës (Coupe de France) dhe Superkupën e Francës (Trophée des Champions), përpara se të merrte drejtimin e Chelsea në vitin 2023.

Së fundmi, ai drejtoi Kombëtaren e Meshkujve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri në fazën e 1/8-ave të finales në Kupën e Botës FIFA,”-shkruan United.

Pas 10 javësh kampionat Manchester United ka grumbulluar vetëm 8 pikë dhe ndodhen në zonën e rënies nga kategoria. Aktualisht ‘djajtë’ pozicionohen të 18 në Premier League.