Vendosni fjalën kyçe....

Koçeku, Kapri dhe Kedhi takohen me zyrtarë amerikanë në ambasadën e SHBA-së, në fokus situata politike në Shqipëri


Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, si dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, zhvilluan sot një takim në ambasadën amerikane në Tiranë me zyrtarë të lartë amerikanë të ardhur nga Uashingtoni.

Sipas burimeve, gjatë takimit është diskutuar për situatën politike në Shqipëri, pakënaqësitë e akumuluara në vend dhe protestat përmes të cilave ato janë shprehur.

Përzgjedhja e tre përfaqësuesve të rinj të opozitës për këtë takim duket se nuk është e rastësishme. Marjana Koçeku është shfaqur në disa media të rëndësishme ndërkombëtare, ku ka folur për zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestën, ndërsa ka zhvilluar edhe takime me diplomatë të huaj.

Edhe Erald Kapri është ndër deputetët e rinj të spikatur në Kuvendin e Shqipërisë dhe është angazhuar në mbështetje të protestës. Ndërkohë, Nikola Kedhi është një prej të rinjve aktivë të Partisë Demokratike.

Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm të zhvillimeve politike në vend. Mazhoranca vijon përballjen me çështjet e drejtësisë, ndërsa ish-zyrtarë dhe zyrtarë të lartë të qeverisjes socialiste përballen me akuza për korrupsion.

Në këtë klimë, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e parashikuar të zhvillohet këtë të shtunë, pritet të sjellë ndryshime në strukturat e partisë.

Ndërkohë, protesta e studentëve vijon, ndërsa ata kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur dialogun e kërkuar nga kryeministri.