“Coela” mblidhet për tre kapituj, Shqipëria hedh tjetër hap drejt Bashkimit Evropian

Shqipëria vijon të përparojë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në Bashkimin Evropian i njohur si Coela u mblodh në Bruksel për të diskutuar ndër të tjera dhe propozimin e Komisionit Europian për mbylljen e 3 kapitujve të tjerë për Shqipërinë.
Bëhet fjalë për kapitullin e 6-të: “E Drejta e Shoqërive Tregtare”, pra përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së për krijimin, funksionimin, administrimin dhe bashkimin e shoqërive tregtare.
Një tjetër kapitull është ai 7 “Pronësia Intelektuale” qe përcakton mbrojtjen e patentave, markave tregtare, të drejtave të autorit dhe pronësisë industriale.
Ndërkohë kapitulli i fundit që cilësohet i plotësuar nga Komisioni Europian është ai 13-të “Peshkimi dhe Akuakultura”.
Nëse Coela jep dritën jeshile dhe i cilëson këto kapituj brenda normave të unionit, stafeta i kalon ambasadorëve të 27 vendeve anëtare, mbledhje e njohur ndryshe si Coreper, që vendos edhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare për zyrtarizimin e këtij vendimi.
Aktualisht vendi ynë ka mbyllur 4 kapituj dhe me mbylljen e 3 kapitujve te tjerë shkon në 7 nga 33 kapituj qe ka në total korniza negociuese me BE.
Më herët, qeveria shqiptare ka vënë si afat përfundimtar për mbylljen e kapitujve vitin 2027, e cila ndonëse është cilësuar ambicioz nga Brukseli zyrtar, ata pranojnë se është i arritshëm.




