Koçeku, Kapri dhe Kedhi takohen me zyrtarët e Washingtonit në ambasadën e SHBA-së
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, kanë zhvilluar një takim në ambasadën amerikane në Tiranë me zyrtarë të lartë të mbërritur nga Washingtoni.
Sipas burimeve, biseda është përqendruar te zhvillimet politike në Shqipëri, klima e krijuar në vend dhe pakënaqësitë qytetare, të cilat janë shprehur edhe përmes protestave të zhvilluara gjatë periudhës së fundit.
Pjesëmarrja e tre përfaqësuesve politikë nga krahë dhe formacione të ndryshme merr rëndësi në kontekstin e zhvillimeve të fundit në vend. Diskutimet mësohet se kanë përfshirë edhe situatën e krijuar nga protestat dhe qëndrimet e qytetarëve ndaj qeverisjes.
Marjana Koçeku është përfshirë në mënyrë aktive në debatin publik për zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri. Ajo ka zhvilluar takime me përfaqësues diplomatikë dhe ka folur për situatën në vend edhe në media të rëndësishme ndërkombëtare.
Edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, është angazhuar në diskutimet parlamentare dhe publike për zhvillimet politike, ndërsa ka shprehur mbështetje për protestën. Në takim ishte i pranishëm edhe Nikola Kedhi, një prej drejtuesve të Partisë Demokratike, i cili ka qenë aktiv në aktivitetet politike të kësaj force.
Takimi zhvillohet në një periudhë me tensione të shtuara në skenën politike shqiptare, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë ndërthurur me çështjet që lidhen me drejtësinë dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të administratës socialiste.
Paralelisht, vijon edhe protesta studentore, ndërsa kërkesat e studentëve dhe refuzimi i tyre për t’u përfshirë në dialogun e propozuar nga kryeministri Edi Rama kanë mbajtur të hapur përplasjen me qeverinë.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedimeve apo çështjet konkrete të diskutuara me përfaqësuesit amerikanë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



