
Pacientët që nuk kanë mundësi fizike të shkojnë në qendrat shëndetësore synohet të marrin kujdes mjekësor në banesë në të gjithë vendin. Aktualisht ky shërbim ofrohet në rreth gjysmën e qendrave shëndetësore, ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka deklaruar se synimi është shtrirja e tij në 100% të qendrave. Për të realizuar këtë objektiv, shërbimi i kujdesit shëndetësor në banesë synohet të përfshihet në paketën e kujdesit shëndetësor parësor dhe të ketë financim të përcaktuar.
“Fondi i kujdesit shëndetësor duhet ta përfshijë në paketën e kujdesit shëndetësor parësor dhe ta kostifikojë këtë eksperiencë, që nga afërsisht 50% të qendrave ta çojmë në 100% të qendrave tona shëndetësore”, deklaroi Spahiu. Ministrja e bëri këtë deklaratë gjatë përmbylljes së projektit 12-vjeçar “Shëndet për të Gjithë”, të mbështetur nga qeveria zvicerane. Përmes këtij projekti janë mbështetur 208 qendra shëndetësore, janë rehabilituar ose rindërtuar 31 objekte dhe kanë përfituar mbi 241 mijë banorë. Gjithashtu, janë trajnuar 2 419 mjekë dhe infermierë.
Sipas Spahiut, përvoja e krijuar nga trajnimi i personelit mjekësor për kujdesin në shtëpi duhet të vazhdojë dhe të zgjerohet. “Trajnimi i këtyre infermierëve dhe i gjithë ekipit të mjekëve për kujdesin në shtëpi ka qenë një eksperiencë që ne duhet jo vetëm ta ruajmë, por ta çojmë përpara”, u shpreh ajo. Ministrja theksoi se qendrat shëndetësore nuk duhet të kufizohen vetëm te vizitat dhe trajtimet brenda ambienteve të tyre, por duhet të ofrojnë edhe mbështetje për njerëzit që nuk mund të dalin nga shtëpia për shkak të gjendjes fizike.
“Qendra shëndetësore sot, në konceptin tonë, nuk është vetëm një qendër që duhet të kujdeset për shëndetin e njerëzve, por duhet të kujdeset edhe në aspektin social. Këto investime bëhen për ata njerëz që janë të pamundur të kenë shërbim në qendra shëndetësore, sepse nuk kanë mundësi fizike të afrohen te qendra shëndetësore”, tha Spahiu.
