Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur Grupin Parlamentar të PD-së, ku në fokus të diskutimeve është reforma zgjedhore dhe adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar përfaqësuesit e mazhorancës për shkelje të rregullave të komisionit bipartizan, duke drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesit të tij në këtë proces, Damian Gjiknuri.
Berisha ka deklaruar se opozita duhet të bashkohet për reformën zgjedhore, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha partive opozitare të bëhen pjesë e procesit. Ai theksoi se PD është e gatshme të marrë parasysh shqetësimet e tyre dhe se interesi i bashkimit të opozitës do të vendoset mbi interesat partiake, me synimin për të hartuar një kuadër ligjor sa më të pranueshëm për të gjithë.
“Në këtë mbledhje, deputetët e PD do të njihen dhe do të diskutojnë mbi punën që ka bërë kryetari i grupit të punës të reformës zgjedhore dhe anëtarët, në mënyrë që t’u jepet përgjigje një për një të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e fundit dhe të parafundit. Siç jeni në dijeni, Komisioni Evropian konstaton në raportet e tij se këto rekomandime nuk janë adresuar pothuajse asnjë nga autoritetet shqiptare. Komisioni bipartizan i ngritur për reformën zgjedhore mbi bazën e vendimeve është një komision ku secila palë ka veton, pra asnjë hap nuk mund të bëhet pa ujdinë e palës tjetër. Në mënyrë të njëanshme, si gangsterë të vërtetë, përfaqësuesi i Edi Ramës, Damian Gjiknuri me anëtarët e tij, për të krijuar skenarin pak a shumë të reformës territoriale, menduan të përcaktojnë në mënyrë të njëanshme agjendën e këtij komisioni.
Përcaktimi i njëanshëm i agjendës është i paligjshëm dhe bie në kundërshtim me vendimin e Parlamentit. Por gangsterë dhe individë të inkriminuar nuk kanë asnjë parim dhe ne jemi të qartë për këtë. Me Edi Ramën çdo mafioz ndihet i sigurt, se dorëzohet para tij dhe ka sukses. Me ne e kanë problem se te ne ka ligj dhe vetëm ligj. Duhet të bashkohemi për këtë reformë. I ftoj partitë opozitare. Jemi të gatshëm që të marrin parasysh të gjitha shqetësimet e tyre. Do të vëmë interesin e bashkimit të opozitës të parin, jo të PD. Ky është nderi ynë. Do të vendosim interesin e bashkimit të opozitës për një kuadër ligjor, sa më të pranuar nga mbarë opozita. Jemi pro listave të hapura.”, tha ai.
