
Një surprizë e veçantë ka pritur pasagjerët e fluturimit A3720 të kompanisë Aegean Airlines, në linjën Athinë–Lisbonë. Në çdo vend të avionit ishte vendosur një fanellë e bardhë e kombëtares greke, modeli ikonik që përfaqëson një prej momenteve më të mëdha në historinë e futbollit të Greqisë.
Nisma është organizuar në bashkëpunim mes Adidas, Aegean Airlines dhe Federatës Greke të Futbollit (EPO), me rastin e 100-vjetorit të federatës dhe lançimit zyrtar në treg të versionit të rikrijuar të fanellës së famshme.
Zgjedhja e destinacionit nuk ishte aspak rastësore. Lisbona është qyteti ku Greqia shkroi historinë në vitin 2004, duke mposhtur Portugalinë në finalen e Europianit dhe duke fituar për herë të parë trofeun kontinental. Pikërisht në atë kryeqytet u drejtua edhe avioni që mbante pasagjerët, duke rikrijuar simbolikisht udhëtimin drejt triumfit historik të skuadrës së drejtuar nga Otto Rehhagel.
Përveç fanellave, udhëtarët morën edhe dhurata përkujtimore me elementë të përbashkët të tre organizatorëve të kësaj nisme.
Fanella e rikrijuar është një kopje besnike e modelit të veshur nga futbollistët grekë në vitin 2004. Ajo ruan prerjen e gjerë karakteristike të fillimit të viteve 2000, detajet blu në pjesën e shpatullave dhe stemën retro të federatës.
