Vendosni fjalën kyçe....

Lirohet nga arresti në shtëpi studenti Klevin Metaj, Apeli i cakton detyrim paraqitjeje



Studenti Klevin Metaj, djali i gazetares së News24, Brikena Metaj, i arrestuar në ditët e para të protestës studentore në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama, është liruar nga masa e arrestit në shtëpi.

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, duke caktuar “detyrimin për t’u paraqitur” një herë në muaj pranë organit përkatës. Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur ndaj studentit masën e “arrestit në shtëpi”.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Gentian Sejrani, i cili së bashku me kolegun Taulant Asllanaj e përfaqësoi Metajn në procesin në Apel.

Në një reagim, Sejrani njoftoi gjithashtu se është regjistruar kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, lidhur me trajtimin që ai e cilëson si degradues dhe çnjerëzor ndaj studentit.

“Sot, Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin, duke caktuar ndaj Klevin Metajt masën e sigurimit ‘detyrimi për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organit përkatës’”, bëri të ditur avokati.

Ai shtoi se kallëzimi penal ndaj efektivëve të policisë është regjistruar dhe do të ndiqet në rrugë ligjore.