
Pas 14 vitesh sundimi autoritar, Aleksandër Vuçiçdhe Partia e tij Progresive Serbe (SNS) janë larguar nga pushteti. Megjithëse sondazhet parashikonin një garë të ngushtë zgjedhore, opozita e udhëhequr nga studentët arriti të fitonte përfundimisht me një diferencë të thellë. Në zgjedhje që nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, për shkak të kontrollit mbi median, dhunës ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe keqpërdorimit flagrant të burimeve shtetërore nga SNS-ja, Lista Studentore fitoi 53% të votave, çka u përkthye në 141 vende në parlament dhe një shumicë absolute. Vuçiçi dhe SNS-ja e tij mbetën shumë prapa, me 38,8% të votave dhe 103 mandate.
Fitorja e studentëve ishte kulmi i protestave disa mujore, të cilat nisën në nëntor të vitit 2024, kur u shemb streha e hyrjes në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave. Meqenëse qeveria bëri pak për të ndëshkuar përgjegjësit, indinjata publike vazhdoi të rritej dhe mobilizimi qytetar hapi rrugën për ndryshim përmes kutive të votimit.
Por ky nuk është mësimi i vetëm për forcat pro-demokratike në mbarë botën. Në rastin e Serbisë, si mobilizimi popullor, ashtu edhe fushata e mëvonshme zgjedhore u drejtuan nga figura të reja, më të reja në moshë, të cilave publiku u besoi instinktivisht më shumë sesa elitave të vjetra, përfshirë edhe ato që vinin nga partitë opozitare. Kur opozita tradicionale është e dobët, e komprometuar ose e diskredituar, prurjet e reja janë zakonisht të domosdoshme për të mposhtur një autokrat të rrënjosur në pushtet.
Për më tepër, në vend që të theksonin thjesht të metat e regjimit të Vuçiçit, studentët përcollën një mesazh me forcë të madhe emocionale dhe, për rrjedhojë, me një tërheqje të gjerë publike. Psikologjia sociale na mëson se njerëzit tërhiqen më pak nga bindjet mbi politikat publike sesa nga ndërthurja e identitetit, njohjes dhe solidaritetit.
Megjithëse mesazhi i tyre mbështetej kryesisht te lufta kundër korrupsionit, çështja e ngritur nga tragjedia në Novi Sad, lëvizja studentore nuk e trajtoi atë thjesht si një çështje politike mes shumë të tjerash. Përkundrazi, studentët e paraqitën thirrjen e tyre kundër korrupsionit si pjesë të një kundërnarrative të bazuar në vlera, të mbështetur te sundimi i ligjit, demokracia dhe ndjenja e përbashkët e komunitetit dhe e qëllimit. Siç ka thënë shpesh Ilija Srdanoviç, kandidati kryesor i Listës Studentore: “Një Serbi tjetër, më e mirë, është e mundur.”
Në këtë mënyrë, lëvizja studentore në Serbi e paraqiti demokracinë jo si një koncept abstrakt, por si instrumentin për mbrojtjen e vlerave të rrënjosura thellë në shoqëri dhe për arritjen e objektivave konkrete, si përfshirja sociale, dinjiteti individual dhe begatia ekonomike.
Ndërkohë, Vuçiçi e paraqiti veten si “shpëtimtarin” dhe “mbrojtësin” e një kombi serb të rrezikuar nga “tradhtarët”, të cilët luftonin për të nxitur të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra”, të ngjashme me ato që sollën demokracinë në Ukrainë dhe Gjeorgji, gjoja në emër të fuqive të huaja. Në zgjedhjet e mëparshme, partitë opozitare në Serbi kishin prirjen t’i shpërfillnin akuza të tilla ose të përpiqeshin ta tejkalonin Vuçiçin në retorikën e tij etnonacionaliste, duke luajtur kështu në favor të tij.
Por, përveç disa deklaratave sporadike lidhur me tradhtinë e Vuçiçit ndaj ish-provincës serbe të Kosovës, lëvizja studentore nuk u përfshi në debatin mbi pretendimin e tij se Serbia ishte viktimë e fuqive perëndimore. Në vend të kësaj, studentët përcaktuan agjendën e tyre, duke mbrojtur vlerat gjithëpërfshirëse dhe qeverisjen e mirë, si dhe duke përdorur simbole patriotike, si flamuri kombëtar, për të mobilizuar qytetarët rreth kësaj agjende. Kështu, lufta për demokraci dhe sundimin e ligjit u shndërrua në një luftë për mbijetesën e kombit serb.
Për më tepër, studentët i përhapën idetë e tyre duke komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët, madje edhe në fshatrat më të largëta. Natyra e decentralizuar e lëvizjes nxiti zhvillimin e infrastrukturës së saj lokale dhe fuqizoi vullnetarët dhe aktivistët për të përhapur mesazhin, duke arritur kështu te miliona qytetarë. Ky aktivizëm në nivelin bazë të shoqërisë rezultoi veçanërisht i rëndësishëm, pasi shumica e mediave serbe janë nën kontrollin e qeverisë, duke e lënë opozitën pa zë publik.
Pas zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara këtë pranverë në Hungari, kur kryeministri Viktor Orban u rrëzua nga pushteti pas 16 vitesh radhazi në krye të qeverisë, dëshmuam edhe një herë vlerat e fushatave elektorale të “shkollës së vjetër”, të cilat përfshijnë dialogun e drejtpërdrejtë dhe kontaktin derë më derë me votuesit.
Një mësim i fundit për të gjithë ata që mbrojnë demokracinë në mbarë botën është se opozita duhet të konkurrojë, pavarësisht se sa e pabarabartë mund të jetë fusha e lojës elektorale. Duke nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës së opozitës së vjetër, studentët serbë kuptuan se bojkotet zgjedhore thjesht e kishin ndihmuar Vuçiçin të konsolidonte pushtetin e tij.
Pak pasi u mbyllën qendrat e votimit, Vuçiçi pranoi humbjen në zgjedhje, gjë që i befasoi shumë njerëz. Ai veproi kështu pjesërisht për shkak të diferencës së madhe në vota mes SNS-së dhe Listës së Studentëve, e cila e bënte të vështirë manipulimin paszgjedhor, por edhe sepse ai dhe aleatët e tij po vënë bast se qeveria e re nuk do të arrijë të përmbushë pritshmëritë. Në këtë skenar, zhgënjimi që do të pasonte do t’i krijonte atij mundësinë për t’u rikthyer në pushtet.
Siç kemi parë nga humbjet e mëparshme të udhëheqësve autoritarë në pushtet, përfshirë edhe në Serbi, çmontimi i një regjimi joliberal përbën ndoshta një sfidë afatgjatë edhe më të madhe sesa mposhtja e tij në kutitë e votimit. Shpresojmë që edhe në këtë drejtim studentët e Serbisë të kenë nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. How Students Dethroned Serbia’s Strongman






