Vend i gabuar për të bërë marrëzira. Drejtori ekzekutiv i Ultimate Fighting Championship (UFC), Dana White, ka komentuar përleshjen e dhunshme në një hotel në Adu Dhabi pak ditë më parë, në të cilën u përfshinë ish-kampioni i peshës “bantamweight”, Merab Dvalishvili dhe kampioni i peshës së lehtë (lightweight) i organizatës Professional Fighters League (PFL), Usman Nurmagomedov.
White u pyet për këtë incident të shëmtuar gjatë konferencës për shtyp para eventit UFC 334, të enjten në Nju Jork, dhe ai nuk i kurseu fjalët e ashpra. “Është absolutisht qesharake dhe budallallëk. Tani janë të gjithë në burg,” tha White. “Ai nuk është vend për të bërë marrëzira.”
Incidenti ndodhi të mërkurën në hollin e hotelit “Yas Hilton”, në prag të eventit “Real American Freestyle” (RAF) që do të mbahet këtë fundjavë në Abu Dabi. Dvalishvili po jepte një intervistë kur Nurmagomedov dhe disa anëtarë të grupit të tij iu afruan nga pas.
Pamjet filmike tregojnë Nurmagomedov duke i thënë diçka Dvalishvili, përpara se ta godiste në fytyrë. Kjo shkaktoi një përleshje të madhe ku u përfshinë të dyja palët. Si pasojë, Dvalishvili, i njohur me nofkën “The Machine” (Makineria), pësoi një çarje në fytyrë nga e cila rrodhi gjak.
Policia e Abu Dabit njoftoi më vonë se tetë persona të përfshirë në përleshje janë arrestuar. Dy individë të tjerë u ndaluan gjithashtu pasi kishin filmuar ngjarjen. Të 10 personat janë dërguar në Prokurorinë Publike për procedurat e mëtejshme ligjore. Autoritetet nuk i kanë bërë publike identitetet e të gjithë personave të ndaluar.
Zyrtarët e RAF konfirmuan të enjten se Nurmagomedov nuk do t’i lejohet pjesëmarrja në eventin e së shtunës. Organizatorët po bashkëpunojnë me autoritetet vendase dhe shpresojnë se Dvalishvili do të lirohet në kohë për të garuar kundër Marlon Moraes, ish-pretendentit për titullin e UFC.
Incidenti ngriti gjithashtu pikëpyetje rreth së ardhmes së Nurmagomedov në sportet luftarake. Rusi, i cili nuk është mundur kurrë, është përfolur së fundmi për një kalim të mundshëm në UFC, por White i hodhi poshtë shpejt këto spekulime.
White sqaroi se Nurmagomedov është ende nën kontratë me PFL dhe theksoi se UFC nuk ka pasur asnjë kontakt me të. Me fjalë të tjera, kalimi i përfolur i Nurmagomedov në UFC nuk ka qenë kurrë pranë realizimit, ndërsa situata e tij ligjore në Abu Dabi përbën tani një shqetësim shumë më të ngutshëm.






