Lëvizte me taksi i armatosur, arrestohet në Tiranë 30-vjeçari dhe i riu që e shoqëronte

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Taksimetri”, duke arrestuar dy persona, të cilët lëviznin me taksi nga Kruja drejt kryeqytetit, ndërsa njëri prej tyre ishte i armatosur me pistoletë.
Në pranga kanë rënë P. Sh., 30 vjeç, dhe R. H., 25 vjeç, të dy banues në Thumanë dhe me precedentë penalë.
Taksia me të cilën udhëtonin dy të rinjtë u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”. Gjatë kontrollit fizik, 30-vjeçarit iu gjet një pistoletë me 15 fishekë, të cilën e posedonte pa leje.
Në automjet ndodhej edhe 25-vjeçari, i cili akuzohet për moskallëzim krimi, pasi nuk kishte njoftuar autoritetet për armën që mbante me vete personi tjetër.
Sipas Policisë, gjatë shoqërimit dhe kryerjes së veprimeve procedurale, të dy të arrestuarit kanë kundërshtuar me dhunë efektivët, si dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomës së shoqërimit në komisariat.
Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.




