Veliaj kallëzon Drejtoreshën e Burgjeve/ Arsyet, nga transferimi në Fier te trajtimi shëndetësor

Veliaj kallëzon Drejtoreshën e Burgjeve/ Arsyet, nga transferimi në Fier te trajtimi shëndetësor

12:01, 13/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Erion Veliaj kallëzon penalisht në Prokurorinë e Tiranës, Drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, për shpërdorim detyre.

Kallëzimi lidhet me transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, mosvënien në dispozicion të urdhrit të transferimit dhe pretendimet për vonesa në garantimin e kujdesit shëndetësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.

Përmes këtij kallëzimi, Veliaj kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë ligjshmërinë e veprimeve dhe mosveprimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe të përcaktojnë përgjegjësitë penale të zyrtarëve të përfshirë.

Transferimi i Veliajt nga Durrësi në Fier u krye më 28 tetor, me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vendimi u kundërshtua nga kryebashkiaku i Tiranës, i cili pretendoi se nuk iu bë e ditur baza ligjore e transferimit dhe se as atij dhe as avokatit të tij nuk iu vu në dispozicion urdhri përkatës. Nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve argumentoi se transferimi ishte kryer për arsye sigurie.

Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pas një misioni monitorimi në burgun e Fierit më 30 tetor, evidentoi problematika që lidhen me transparencën e vendimit të transferimit, të drejtën e ankimit, komunikimin me familjarët dhe vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor për të paraburgosurin.

Kallëzimi i ri i Veliajt vjen në vijim të kundërshtimeve të tij ndaj mënyrës së transferimit dhe trajtimit në institucionin e vuajtjes së masës së sigurisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco