Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga Europol ka goditur rrjetet kriminale që shfrytëzonin pjesën e errët të internetit për trafikimin e drogës dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Në 14 vende janë arrestuar 354 persona, ndërsa janë sekuestruar mbi 5.8 tonë drogë, 152 armë zjarri dhe para e kriptovaluta me vlerë 150 milionë euro. Operacioni i koduar “TorNado” u zhvillua nga maji i vitit 2025 deri në tetor 2026, me përfshirjen e agjencive ligjzbatuese amerikane, evropiane dhe australiane. Sipas Europolit, numri më i madh i arrestimeve u regjistrua në Shtetet e Bashkuara, me 132 persona të ndaluar. Në Britaninë e Madhe u arrestuan 59 persona, në Hungari 45, në Gjermani 41 dhe në Francë 23. Arrestimet e tjera u kryen në vendet e përfshira në operacion. Hetimet zbuluan rrjete të organizuara që përdornin platformat e fshehta të internetit për shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, duke shfrytëzuar kriptovalutat për kryerjen e transaksioneve financiare. Vetëm në Evropë, autoritetet sekuestruan rreth një ton drogë, përfshirë kokainë, kanabis, amfetaminë, ketaminë dhe MDMA. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara u konfiskuan mbi 4.8 tonë substanca narkotike. Zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raya, deklaroi se operacioni kishte në shënjestër veçanërisht trafikimin e fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse përmes Dark Web-it. Sipas tij, hetuesit arritën të identifikonin shitësit kryesorë dhe të godisnin strukturat që mundësonin funksionimin e këtyre rrjeteve kriminale. Europol paralajmëron se tregjet e paligjshme në internet vazhdojnë të përshtaten me goditjet policore, duke zhvilluar mënyra të reja për të shmangur identifikimin dhe ndjekjen penale.