Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kallëzoi penalisht në Prokurorinë e Tiranës, drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, duke e akuzuar për shpërdorim detyre. Shkak për kallëzimin është bërë transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në të Fierit, vendim i marrë më 28 tetor nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Veliaj thotë se transferimi është kryer në mënyrë të paligjshme, pa iu bërë i njohur paraprakisht urdhri përkatës dhe pa iu komunikuar arsyet ligjore që justifikonin këtë vendimmarrje.
Sipas tij, përgjegjësia penale për këtë veprim bie mbi drejtoreshën e Burgjeve, e cila ka firmosur urdhrin e transferimit.
Erion Veliaj mbahej në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga SPAK-u në kuadër të hetimeve për çështjen që lidhet me Bashkinë e Tiranës.
Më 28 tetor 2026, ai u transferua drejt IEVP Fier me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Lëvizja u kundërshtua menjëherë nga kryebashkiaku, i cili deklaroi se nuk ishte informuar paraprakisht për destinacionin dhe as për arsyet e transferimit.
Në një reagim publik, Veliaj e cilësoi këtë veprim si një transferim politik dhe pretendoi se mënyra e realizimit të tij cenonte të drejtat ligjore të një personi në paraburgim.