Transporti publik në Tiranë, futen në shërbim 5 autobusët e parë 100% elektrik

13/11/2026 11:32

Bashkia e Tiranës ka shtuar në flotën e transportit publik autobusë elektrikë dhe hibridë, ndërsa projekti për krijimin e një sistemi të transportit të shpejtë me autobusë (BRT) ndodhet në fazën e projektimit.

Në linjën urbane “Unaza” operojnë 5 autobusë 100% elektrikë dhe 26 autobusë hibridë. Autobusët elektrikë nuk prodhojnë emetime ndotëse gjatë lëvizjes, ndërsa ata hibridë përdorin një teknologji që synon të ulë konsumin e karburantit dhe emetimet krahasuar me mjetet konvencionale.

Ndërkohë, për projektin BRT, Bashkia ka nisur punën përgatitore në bashkëpunim me Bankën KfW dhe GIZ. Projekti parashikon krijimin e korsive të dedikuara për autobusët dhe rritjen e kapacitetit të transportit të udhëtarëve.

Ndërhyrjet në fazën fillestare pritet të përqendrohen në tre linja: Unaza, Kinostudio–Kombinat dhe Tirana e Re. Sipas projektit, synohet dyfishimi i kapacitetit të transportit të udhëtarëve, si dhe rritja e shpejtësisë dhe frekuencës së shërbimit.

Të dhënat e Bashkisë tregojnë se që nga viti 2021, kilometrat e përshkuara nga autobusët në shërbim janë rritur me 86%, ndërsa numri i pasagjerëve me 66%.

Top Channel