Djathi francez Comté, më i miri në botë mes 5,300 produkteve

Një djathë francez, i vjetëruar për 24 muaj në bodrumet e maleve Jura, është shpallur më i miri në botë në edicionin e fundit të Çmimeve Botërore të Djathit, të zhvilluar në Spanjë.
Djathi Comté, i prodhuar në rajonin Franche-Comté, pranë kufirit me Zvicrën, u përzgjodh mes më shumë se 5,300 djathërave nga 45 vende të botës. Ai arriti të triumfojë pas disa raundeve vlerësimi, ku juria mori në konsideratë shijen, aromën, pamjen, strukturën dhe ndjesinë në gojë.
Djathi fitues është prodhuar nga qumështi i lopës dhe është vjetëruar për dy vjet në Fort des Rousses, nga kompania tradicionale JuraFlore, e themeluar në vitin 1907.
Eksperti spanjoll i djathërave, Rafael Domínguez González, vlerësoi veçanërisht kompleksitetin e shijeve të tij, duke theksuar aromat e arrave dhe mënyrën se si shija zhvillohet gradualisht në gojë.
Çmimet Botërore të Djathit konsiderohen ndër konkurset më prestigjioze ndërkombëtare në këtë sektor. Në këtë edicion, mijëra produkte u vlerësuan nga një numër i madh ekspertësh, ndërsa përzgjedhja përfundimtare u zhvillua përmes një degustimi të drejtpërdrejtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



